E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimet shoqërore, nënshkruhet marrëveshje mes Ministrisë së Jashtme dhe ISSH-së

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore nënshkruan dje një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurimit shoqëror të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Kjo marrëveshje angazhon të dy institucionet, që në bashkëpunim mes tyre, të lehtësojnë sigurimin shoqëror vullnetar të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Përfaqësitë diplomatike jashtë vendit do të mundësojnë njohjen e shtetasve shqiptarë me sigurimin shoqëror vullnetar në Republikën e Shqipërisë, ndërsa ISSH do të realizojë përfshirjen e tyre në skemën e sigurimit shoqëror vullnetar.

Në marrëveshje, të dy institucionet shprehin bindjen se ky bashkëpunim do të sjellë një ndihmë reale për ofrimin e shërbimeve efektive për shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Punëve të Jashtme, z Edmond Haxhinasto dhe drejtorja e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Evelina Koldashi.

“Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për sa i takon përmirësimit të shërbimeve që qeveria shqiptare i ofron emigrantëve shqiptarë. Para pak ditësh ne realizuam një tjetër angazhim në lidhje me mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e kulturës shqiptare për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në emigracion. Vlerësoj se në të ardhmen këto shërbime që ne i ofrojmë emigrantëve shqiptarë do të përmirësohen akoma më shumë. Në axhendën tonë të afërt kemi edhe hapjen e shtëpive të kulturës në ato vende ku ka përqendrime të komunitetit shqiptar si dhe angazhime të tjera të cilat, në fund të fundit, janë detyrim kushtetues i shtetit shqiptar ndaj të gjithë shqiptarëve në vendet ku ato jetojnë”, – deklaroi ministri Haxhinasto.

Ndërkaq, problemi më i madh vijon të ketë të bëjë me pensionet e emigrantëve, nëpërmjet kontributeve të detyrueshme që paguajnë në institucione të ndryshme të sigurimeve shoqërore. Bëhet fjalë për emigrantët që kanë derdhur kontribute të sigurimeve shoqërore si në Shqipëri, ashtu edhe në vendin e emigrimit e që, sipas ligjeve aktuale, humbasin të gjitha të drejtat e tyre për pension, pasi asnjë vend nuk njeh kontributet e derdhura në vendin tjetër.

Kështu, nëse një emigrant ka punuar 15 vjet në Shqipëri e po aq në Greqi a Itali, ai nuk do të marrë pension në asnjë nga dy vendet, edhe pse ka plotësuar 30 vjet pune dhe ka paguar një shifër të majme në kontribute.

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është vendosur në krye të negocimit për të gjetur një zgjidhje për emigrantët, por deri tani ajo nuk është arritur dhe sipas drejtuesve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, është e vështirë, për shkak të shumës së madhe të të hollave që një institut duhet të derdhë te tjetri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›