E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: Fond emergjence për eurozonën

Në prag të samitit të BE-së, kancelarja gjermane Angela Merkel në një deklaratë të qeverisë ka folur për një fond emergjent shpëtimi për vendet e eurozonës. Ky fond duhet të ngrihet për të mbrojtur stabilitetin financiar të eurozonës si një e tërë, u shpreh Merkel në Bundestag në Berlin.

Hollësi për këtë fond do të jepen nga krerët e shteteve dhe qeverive të enjten dhe të premten në Bruksel. “Askënd në Evropë nuk do ta lëmë vetëm, megjithatë Evropa ia ka dalë mbanë vetëm e bashkuar” tha Merkel. Përdorimi i këtij fondi afatgjatë shpëtimi do të bëhet në kushte të rrepta, tha më tej Merkel.

"Shkaku se përse e bëjmë të gjithë këtë, është dicka tjetër. Është ideja e madhe e paqes dhe lirisë të bashkimit të Evropës. Ndaj këtij obligimi ndjej detyrim personal"deklaroi Merkel.

Fondi afatgjatë i krizës do të zevëndësojë pas 2013 fondin aktual të përkohshëm për shpëtimin e euros. Më parë kancelarja kishte mbrojtur faktin e blerjes së huave shtetërore nga vendet e zonës së euros që janë në krizë si Greqia përmes Bankës Qendrore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›