E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: Kriza e euros, sprova më e madhe e Evropës

Kancelaria gjermane Angela Merkel paraqiti të mërkurën në Parlament deklaratën qeveritare për paketën e shpëtimit të euros. Ajo deklaroi në Bundestag se kriza e euros është një çështje ekzistenciale për Gjermaninë. “Kriza e tanishme e euros është sprova më e madhe e Evropës, sepse Euro është në rrezik”, theksoi Merkel. Sipas saj, duhet të mbështetet paketa për të ashtuquajturën çadrën për shpëtimin e euros. Kjo paketë parashikon kredi në vlerë prej 750 miliardë eurosh për stabilizimin e monedhës së përbashkët. Gjermania do të duhej të siguronte për tre vitet e ardhshme garanci në vlerë prej 148 miliardë eurosh. Përveç liberalëve dhe partive të Unionit, këtë paketë do të mbështesin edhe ekologjistët, ndërsa socialdemokratët ende po hezitojnë. Daniela Schwarzer, eksperte për euron në Institutin Gjerman për Shkencë dhe Politikë, thekson se është e rëndësishme në këtë moment krize, që Evropa të qëndrojë e bashkuar: "Ne duhet ta kuptojmë politikën ekonomike si çështje të interesave të përbashkëta ...dhe të shkojmë në atë drejtim, ku ka më shumë bashkëpunim dhe zhvillim të njëllojtë në eurozonë. Po qe se nuk bëhet kjo, zona e euros do të përfshihet nga tensione të mëdha, dhe nuk do të kemi vetëm probleme me financat e shteteve, por edhe grindje shumë të mëdha politike”, thotë ajo.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›