Vrasja që shokoi Amerikën

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, është shprehur në një mënyrë mjaft personale në lidhje me vrasjen e një adoleshenti të paarmatosur me ngjyrë, vrasje kjo e cila ka tashmë disa ditë që po e preokupon SHBA-në. Trayvon Martin 17 vjeçar është vrarë më 26 shkurt në Floridë, nga George Zimmermani 28 vjeçar.
Dorasi thotë se ka vepruar në vetëmbrojtje dhe është ende i lirë dhe nuk është akuzuar për vrasje. Megjithatë, të gjitha dëshmitë e ngarkojnë këtë njeri, i cili nga policia cilësohet si i “bardhë”, ndërsa nga familja e tij, për shkak të nënës nga Peruja, cilësohet si “hispanik”.
“Mund të paramendoj se nëpër çfarë periudhe po kalojnë prindërit e tij. Kur mendoj për këtë djalosh, mendoj për fëmijët e mi”, deklaroi Obama javën e kaluar.
Edhe rivalët republikanë të Obamës janë shprehur në ndërkohë për vrasjen e Martinit.
“Zemrat tona janë me familjen e tij”, deklaroi Mitt omney gjatë fushatës së tij në Louisiana. Ai kërkoi hetim gjithëpërfshirës dhe të paanshëm të kësaj vrasje.
Kërkesa të ngjashme bënë edhe dy kandidatët tjerë republikanë për presidentë, Newt Gingrich dhe Rick Santorum. Megjithatë, Gingrich sulmoi presidentin Obama, për shkak të deklaratave të tij për rastin në fjalë.
“Nuk bëhet fjalë për atë se si duket djaloshi. Çdo amerikan i ri, pavarësisht rrënjëve të tij, duhet të jetë i sigurt. Pikë. A dëshiron të sugjerojnë presidenti se po të ishte vrarë ndonjë djalosh i bardhë, çdo gjë do të kishte qenë në rregull, ngase nuk duket si Presidenti?”, tha Gingrich.
Pjesa më e madhe e amerikanëve po shtrojnë një pyetje tjetër: do të ishte Martin ende gjallë, po të mos ishte lëkura e tij me ngjyrë? Martin kurrë nuk e kishte shkelur ligjin dhe ishte i paarmatosur, kur hasi në dorasin e tij, në momentin kur po kthehej nga dyqani në shtëpinë e tij. Si duket, Martin i është dukur i dyshimtë Zimmermanit, i cili kishte patrulluar si vullnetarë në lagje, pasi që aty kishin ndodhur disa plaçkitje dhe një përleshje me armë zjarri.
Atë ditë shkurti, Zimmerman i telefonoi policisë, duke e njoftuar se ka parë një person të dyshimtë. Më pas, ai i tha policëve se do ta përcjellë personin e dyshuar. Megjithatë, një polic e luti atë nëpërmjet telefonit që të ndërpret përcjelljen, ngase një automjet i policisë ishte nisur drejtë vendit të ngjarjes.
Pak çaste më vonë, u shkrep së paku një plumb. Martin u qëllua në gjoks. Zimmerman theksoi se ishte kthyer te automjeti i tij, pasi që Martin e kishte sulmuar. Sipas fjalëve të tij, ai e kishte përdorur armën, ngase ishte frikësuar për jetën e tij.
Ekziston së paku një dëshmitar, i cili thotë se kinse ka parë nga dritarja Martinin duke e rrahur Zimmermanin 40 kilogramë më të rëndë dhe shumë më të fuqishëm se Martini. Një tjetër dëshmitar thotë se kishte ndodhur pikërisht e kundërta. Krahas kësaj, ekziston edhe dëshmia e dashnores së Martinit, e cila ka biseduar në telefon me të, në momentin kur ndodhi ngjarja.
Martin i kishte thënë të dashurës se po e përcjellë një mashkull i gjatë dhe i fuqishëm. E dashura kërkoi nga ai që të vraponte dhe të largohej nga aty. Më pas dëgjoi se si i dashuri i saj ja bëri pyetjen Zimmermanit:”Pse po më ndiqni?” Më pas u dëgjua një zhurmë dhe lidhja u ndërpre.
Deri më tani protesta me moton “Drejtësi për Trayvonin” janë zhvilluar në 20 shtete të SHBA-së.
Duke ju përgjigjur kritikave të Gingrichit në adresë të Obamës, për shkak të deklaratës së tij për vrasjen, babai i Martinit tha:”Po të kishte qenë Trayvoni një fëmijë i bardhë, Zimmermani do të ishte arrestuar”.
Zimmerman nuk u arrestua, edhe përkundër faktit se ai ka dosje në polici. Gjatë arrestimit të një miku të tij, ai kishte rezistuar me dhunë ndaj policisë, e edhe e dashura e tij e ka akuzuar atë për dhunë ndaj saj.