Merkel-Sarkozi, rregulla të reja për unitet në BE
Pak ditë para një samiti të rëndësishëm të BE-së, kancelarja gjermane, Merkel dhe Presidenti francez, Sarkozi, bashkuan zërat për të kërkuar një traktat të ri të BE-së. Liderët e Francës dhe Gjermanisë kanë rënë dakord për një pakt fiskal, i cili do të ndihmojë të shpëtojë eurozonën nga kriza e borxhit. Presidenti francez theksoi se elementet bazë të planit kërkojnë rritjen e disiplinës fiskale. Pakti do të paraqitet në detaje në takimin e liderëve të eurozonës këtë javë (8-9 dhjetor) dhe përfshin rishkrimin e traktatit që qeveris Bashkimin Europian. Kriza kërkon një angazhim me tepër drejt unitetit të Europës dhe një Europë që nuk do të përsërisë gabimet e së kaluarës, tha Sarkozi përkrah Anxhela Merkelit në konferencën e përbashkët për shtyp, në Paris. Dy liderët e eurozonës u shprehën se do tu pëlqente që të 27 vendet e BE ta miratonin paktin. Por ata shtuan se, edhe nëse funksionon vetëm me 17 vendet e eurozonës, do të jetë i pranueshëm. Sarkozi tha se pakti parashikon sanksione automatike për vendet anëtarë që smund të mbajnë deficitin e buxhetit nën 3 për qind të GDP-së. Tregjet dhe euro u rritën, pasi Merkel dhe Sarkozi shpallën aleancën. Lideri francez tha se synimi i tyre për të miratuar përfundimisht këtë pakt, ishte marsi. Merkel dhe Sarkozi refuzuan të komentojnë mbi komentet e kreut të BQE-së, Mario Dragi, javën e kaluar se elemente të tjera mund të pasojnë nëse shfaqet mes kombeve të euros një kompakt i ri fiskal. Të dy liderët përsëritën të vendosur kundërshtimin e tyre për idenë e shitjes së përbashkët të bonove europiane si propozim për zgjidhjen e krizës. Ata kërkuan pavarësinë e Bankës Qendrore Europiane. Dua ti them popullit francez se Franca dhe Gjermania e kundërshtojnë totalisht idenë e eurobonove, sepse nuk është një zgjidhje për krizën. Ç ide e çuditshme vendosja e borxheve europiane në të njëjtin qyp!, tha Sarkozi duke hedhur poshtë idenë e Presidentit të KE-së, Hose Manuel Barroso. Ata lavdëruan edhe masat e Kryeministrit të ri italian, Mario Monti.
Mbikëqyrja e buxheteve
Kancelarja Merkel ka qetësuar shqetësimet e vendeve anëtare të eurozonës se Gjykata Europiane e Drejtësisë do të ishte e aftë të vendoste veton mbi buxhetet nacionale, si pjesë e propozimit për deficitin e centralizuar. Gjykata Europiane nuk do të jetë në gjendje të kontrollojë çdo buxhet, por do të vendosë nëse borxhi i parashikuar në ligjin kombëtar është zbatuar në atë mënyrë që të përshtatet me Paktin e Rritjes dhe Stabilitetit, tha Merkel.
Masat e Montit
- Manovra vlen 30 miliardë euro
- 12 miliardë euro taksa të reja për të pasurit
- 12-13 miliardë shkurtime të shpenzimeve publike
- 17-18 miliardë taksa të reja, ku 2/3 i përkasin banesave
Taksat
- Vendoset taksë mbi banesën e parë
- Rritet me 75 për qind taksa mbi banesën e dytë
- Rritet taksa për shërbimet komunale
-Rritja e akcizës së benzinës që nga 1 janari
- Rritet transporti publik nga 0.9 në 1.23 për qind
- Vendoset taksë mbi plehrat
- Rritet mosha e pensionit, 66 vjeç për meshkujt dhe 62 për femrat