E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet një tempull shiit në Kabul

Policia thotë se ka shqetësime se shumë njerëz janë vrarë dhe plagosur nga një sulm vetëvrasës me bombë, në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

Sipas policisë, sulmuesi vetëvrasës për cak e kishte një tempull shiit në qendër të Kabulit, ku qindra persona ishin mbledhur për ta shënuar një festë fetare shiite.

Mohamed Zahir, zyrtar i lartë policor, tha se ka shqetësime se mund të jenë vrarë më se paku 40 persona.

Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Karga Rahman Ogoli, tha se më se 50 vetë janë vrarë dhe plagosur në këtë sulm.

Në incidentin tjetër në Afganistan, katër persona janë vrarë, kur një bombë eksplodoi afër një xhamie në qytetin verior, Mazari Sharif.

Dhuna sektare në Afganistan ndërmjet shumicës sunite dhe pakicës shiite, paraqitet herë pas here, por viteve të fundit duket se ka shënuar rënie.

Myslimanët shiitë po e festojnë Ashurën, që shënon vdekjen e nipit të Profetit Muhamed, Imamit Huseinit, në një luftë në Qerbela në Irak, në vitin 680.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›