E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel, alarm për krizën: Nëse dështon euroja, dështon Europa

Paralajmëron për sanksione të ashpra ndaj vendeve me deficit të lartë

Kancelarja gjermane, Merkel, ka bërë dje thirrje për sanksione më të forta ndaj vendeve që kanë një deficit shumë të lartë buxhetor dhe rrugë të lirë për procedurat e falimentit për një shtet, në rast se masat e marra për shpëtimin e tij financiar nuk do të japin rezultat. Këtë ajo e ka bërë të ditur gjatë mbrojtjes që i bëri kontributit të vendit të saj në paketën prej 750 miliardë eurosh, e parashikuar për të shpëtuar vendet në rrënim për shkak të deficitit buxhetor. Për sa i përket momentit aktual, ajo e konsideroi atë si një moment kyç për “ekzistencën e euros”. “Ne kemi nevojë për një reformë gjithëpërfshirëse dhe një pakt rritjeje dhe stabiliteti me rregulla më të forta loje, qëllimi i të cilave do të jetë në radhë të parë, veç të tjerash, që vendet anëtare të mbajnë përgjegjësi për menaxhimin në mënyrë solide të buxhetit”, u ka thënë Merkel anëtarëve të Parlamentit gjerman, që do të votojnë nesër në lidhje me pjesën e parave me të cilat Gjermania do të kontribuojë në tërësinë e paketës së shpëtimit financiar për Greqinë, që ka vlerën e 123 miliardë eurove. Pranimi i vendimit të marrë në vitin 2004 për të toleruar çarje të rregullave të Eurozonës ndaj vendeve të veçanta në lidhje me deficitin buxhetor ishte një tjetër pjesë e fjalës së Merkelit. Ajo e konsideroi hapin e ndërmarrë në atë kohë “një gabim shumë të madh” dhe premtoi se do të nxiste marrjen e sanksioneve për vendet që do të dështonin në kontrollin dhe menaxhimin e shpenzimeve të tyre publike. Ndër këto masa mund të përmendim ndalimin e fondeve të Bashkimit Europian për to, apo edhe heqjen e së drejtës së votës. Sipas saj, qeveria do të prezantojë sot 9 masa, që kanë si synim kufizimin e “politikës së borxhit” të Eurozonës. Këto masa do të jenë pjesë e një task-force që do të drejtohet nga Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Herman Van Roumpy.

“Situata aktuale me të cilën po përballet euroja është më e rënda dhe më kompleksja nga situatat financiare me të cilat është përballur Europa që prej dhjetëvjeçarësh. Ajo është një krizë thelbësore dhe ekzistenciale, një provë që duhet të tejkalohet. Nëse euroja do të dështojë, atëherë e gjithë Europa do të dështojë me të”, ka deklaruar Kancelarja gjermane në fjalën e saj të mbajtur në Parlamentin gjerman. Sipas planit të Merkelit, të cilin ajo e ka bërë me ministrin e saj të Financave, qeveria e Merkel ka ndërmend që të shohë rritjen shkallës së monitorimit ndaj vendeve problematike të Eurozonës në lidhje me buxhet-propozimet, futjen në lojë të sanksioneve shumë të rrepta për ato vende që i shkelin rregullat e lojës dhe ndërprerje të së drejtës së votës në Këshillin Europian. Gjermania kërkon edhe hapjen e procedurave të falimentimit për vendet e dështuara të Eurozonës. “është detyra jonë historike që të ndërmarrim veprime në këto kohë. Euroja është në rrezik. Nëse ne nuk bëjmë gjë, atëherë pasojat për Europën janë të pallogaritshme”, ka deklaruar Merkel.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›