E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni Ura, drejtësia e lidhur me krimin

Gjyqtarë, prokurorë, avokatë, policë e gardianë dyshohet se kanë ndihmuar Bandën e Durrësit 2 për trafikun e drogës

“Gjyqtarë të korruptuar për lirimin e kriminelëve. Prokurorë që mbyllin sytë para veprës penalë. Avokatë të përfshirë në pazare për të ulur dënimin dhe për të liruar klientët e tyre jashtë sallës së gjyqit. Punonjës policie të lidhur me elementë kriminalë. Gardianë burgu të implikuar në shitje celularësh brenda institucionit ku punojnë”. Të dhënat kanë dalë në dritë nga hetimi dyvjeçar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të ashtuquajturën Banda e Durrësit 2, ku pas operacionit “Ura” janë vënë nën akuzë shtatë persona, midis tyre edhe Endrit Dokle, i cilësuar si një nga krerët e grupeve kriminale që vepronin në qytetin e Durrësit, i arrestuar në vitin 2005. Megjithëse prej pesë vitesh në burg, Dokle ka drejtuar nga qelia një grup të mirorganizuar kriminal, të cilin ia kishte trashëguar i ndjeri Klodian Saliu. Nga përgjimet dyvjeçare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë dalë në dritë të metat e sistemit të drejtësisë. Nëpërmjet ryshfetit, anëtarë të këtij grupi kriminal kanë arritur të shpallen të pafajshëm, duke u liruar nga burgu. Ata dyshohet se kanë dhënë shuma të majme të hollash prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa “sekserë” në këto afera kanë qenë avokatët. Përgjimet kanë zbuluar se disa punonjës të policisë, megjithëse kishin dijeni për ekzistencën e personave të rrezikshëm apo kishin dijeni për një vepër penale nuk ndërhynin, duke konsumuar në këtë mënyrë akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Ryshfeti mbizotëronte kudo dhe anëtarët e së ashtuquajturës Banda e Durrësit 2 arritën të implikonin edhe titullarët e burgjeve ku qëndronin. I pari që provoi “besnikërinë” e uniformave blu ka qenë Edmond Taullaj në Durrës. Megjithëse ndodhej i arrestuar për veprën penale të “përdhunimit”, ai kishte në përdorim gjithmonë celularë. Nga të dhënat e prokurorisë rezulton se Edmond Taullaj ndihmohej nga agjentë të policisë për të përvetësuar celularë në qeli dhe me këta celularë arrinte të siguronte për “ushtarët” e tij dhjetëra kilogramë lëndë narkotike”, e cila dërgohej më pas në Itali. E njëjta skemë implikimi ka ndodhur edhe me gardianët e paraburgimit 302 në Tiranë, ku ndodhej në qeli Endrit Dokle. Sipas prokurorisë, këtij të pandehuri i janë përgjuar rreth 10 celularë që nga viti 2008, nga ku ka rezultuar se ai drejtonte të gjithë “ushtarët” e tij, madje duke u lidhur edhe pika kontakti në shumë vende të rajonit. “Hetimet për këtë grup janë voluminoze dhe është dashur një punë e gjerë për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale. Krahas dy sasive të lëndës narkotike që janë sekuestruar, ky grup dyshohet se ka dërguar tonelata me lëndë narkotike jashtë Shqipërisë”, thanë burime nga akuza qendrore. Sipas tyre, hetimet janë ndihmuar shumë nga përgjimi i telefonatave të Endrit Dokles.
Duket se operacioni i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka evidentuar të metat e sistemit tonë të drejtësisë, ku individë të arrestuar drejtonin edhe organizonin grupe kriminale për trafikimin e narkotikëve. Megjithatë, hetimet konsiderohen nga policia e prokuroria të plota, ndërsa shumë persona të tjerë do të thirren për dëshmi para oficerëve të policisë gjyqësore. Nga të dhënat hetimore mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ra në gjurmët e këtij grupi falë informacioneve të Prokurorisë së Durrësit. “Dosja është referuar nga Prokuroria e Durrësit në vitin 2008”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat saktësojnë se hetimet kanë filluar pas vrasjes së shtetasit Arjan Saliu në qytetin bregdetar. Menjëherë pas kësaj vrasjeje, prokuroria zbuloi se një grup personash kryenin aktivitet kriminal në fushën e trafikut të narkotikëve. Nga të dhënat e mbledhura, përgjimet e vëzhgimet, rezultoi se grupi kishte një shtrirje rajonale dhe drejtohej nga një person i paraburgosur dhe në proces gjykimi te Krimet e Rënda. Hetimi është shtrirë edhe në rajon në bashkëpunim me zyrën italiane të bashkëpunimit, me të cilën janë mbajtur kontakte të vazhdueshme. Shtetasja Eglantina Lulo, nëna e katër fëmijëve, përdorej nga ky grup për të shpërndarë lëndën narkotike në Itali, ndërsa ndodhet aktualisht në masën e arrestit shtëpiak, për shkak të fëmijëve. Ka të dhëna se lënda narkotike dërgohej nga Shqipëria dhe sapo nisej, njoftohej në kohë shteti italian për sasitë e drogës. Lënda nuk sekuestrohej në territorin shqiptar, për shkak të mosdekonspirimit të hetimeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›