Merkel dhe Sarkozy: Të krijojmë qeverinë ekonomike europiane
Në kohën e krizës së thellë të borxheve, presidenti i Francës, Sarkozy, dhe kancelarja Merkel debatuan hapat që duhen ndërmarrë. Ata deklaruan se kanë rëndë dakord për disa masa të rëndësishme për tejkalimin e krizës. Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy kanë rënë dakord edhe për krijimin e një qeverie të përbashkët ekonomike në zonën e euros. Kjo qeveri do të përkujdesej për zhvillimet ekonomike në këtë zonë dhe qëndrueshmërinë e monedhës së përbashkët. Merkel dhe Sarkozy kanë rëndë dakord edhe për personin i cili duhet të udhëheqë këtë "qeveri të vërtetë të zonës së euros". "Propozimi ynë është që ky të jetë Herman Van Rompuy", bëri të ditur presidenti Syrkozy. Ai theksoi se qeveria e ardhshme ekonomike, që do të përbëhej nga Këshilli i BE-së, presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare, do të duhej të takohej të paktën dy herë në vit, e nëse është e domosdoshme edhe më shpesh. Kjo qeveri duhet të ketë një udhëheqës, i cili do të zgjidhej me një mandat prej dy vjet e gjysmë. "Zonja Merkel dhe unë propozojmë që ky të jetë Herman Van Rompuy", theksoi Sarkozy. Ndonëse mediat kanë spekuluar shumë për mundësinë që në këtë takim të flitet edhe për bonot europiane, zyrtarisht kjo temë nuk ishte në rend dite. Se çfarë është biseduar jozyrtarisht, krerët e dy shteteve që aktualisht konsiderohen si motorët ekonomik të zonës së euros, nuk bëhet e ditur.