E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat gati buxhetin 2012 me ekspertizë të huaj

SHKRUAN: Blerina Hoxha 18-08-2011 12:30

Puna për hartimin e projektbuxhetit 2012 ka filluar tashmë. Burimet në Ministrinë e Financave njoftojnë se deri në fund të muajit ministritë e linjës dhe institucionet e tjera buxhetore duhet të dorëzojnë kërkesat për fonde. Sipas të njëjtave burime, buxheti i vitit 2012 pritet të jetë më afër realitetit të zhvillimeve ekonomike në vend. Për këtë qëllim specialistët e Ministrisë së Financave do të konsultohen me ekspertizën e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për të hartuar një projektbuxhet i cili do të mos pësojë ndryshime radikale gjatë vitit, sikur ndodhi dy vitet e shkuara. Paraprakisht bëhet e ditur se buxheti i vitit që vjen do të marrë në konsideratë vetëm indeksimin e rrogave dhe pensioneve me një rritje shumë të lehtë për pagat dhe pensionet e ulëta. Ndërkohë në themel të hartimit të tij do të jetë ulja e borxhit publik në kufijtë e 58 për qind të PBB. Ashtu si edhe vitet e tjera, do merren në konsideratë tre skenarë për hartimin e projektbuxhetit. Skenari pesimist, skenari optimist dhe ai realist. Gjatë dy viteve të fundit qeveria ka miratuar variantin optimist të buxhetit, por është detyruar ta ndryshojë atë në mes të vitit, duke bërë shkurtime kolosale në shpenzime. Por këtë vit pritet që të miratohet varianti që është më afër zhvillimeve reale të ekonomisë së vendit. Nga ana tjetër edhe pse qeveria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk kanë më një marrëveshje të ngushtë bashkëpunimi, qeveria shqiptare nuk dëshiron të kalojë ndryshimet themelore në projektligjet financiare, pa marrë më parë një konsultë nga institucioni financiar ndërkombëtar. Kjo nevojë vjen si emergjencë për shkak të problematikave të reja ku po gjenden vendet nga pasojat e krizës globale. Kështu që konsulenca me FMN për buxhetin e vitit që vjen do të konsistojë fillimisht në treguesit themelorë që kanë të bëjnë me parashikimet në lidhje me të ardhurat, shpenzimet dhe borxhin. Fondi më herët e ka këshilluar qeverinë që të mos aplikojë rritje pagash dhe pensionesh, si një nga masat kryesore për të mos thelluar deficitin buxhetor. Këtë qëndrim Fondi pritet të mbajë edhe këtë vit. Në fakt, gjatë këtij viti Qeveria shqiptare zbatoi disa nga këshillat e FMN-së, të dhëna në fillim të vitit për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore me 18 miliardë lekë. Por viti 2011 përkoi me zgjedhjet lokale dhe, duke iu referuar traditës, edhe buxheti u ndikua në një farë mase nga zgjedhjet. Pak kohë më parë edhe Banka Botërore është shprehur me rezerva për mënyrën e planifikimit të buxhetit. “Qeveria duhet të jetë më konservatore gjatë hartimit të buxhetit të shtetit, për të shmangur në këtë mënyrë rishikimin e tij në mes të vitit”, është shprehur përfaqësuesja e Bankës Botërore në vendin tonë, Ksenia Lvovski. Më tej, shtoi ajo, praktika e përsëritjes së këtyre rishikimeve në mes të vitit krijon të ministritë ndjenjën për të avancuar në gjysmën e parë të vitit me shpenzime, kryesisht në projektet e mëdha, duke neglizhuar mirëmbajtjen. Por neglizhimi i përsëritur i mirëmbajtjes në periudhë afatmesme do të thotë përdorim jo optimal të fondeve publike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›