E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel dhe Sarkozy përgatisin Samitin e euros

Në prag të samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive për krizën e euros, presidenti francez Nikolas Sarkozi do të udhëtojë në Berlin. Kancelarja gjermane, Angela Merkel kishte paralajmëruar publikisht një ditë më parë për të mos mbajtur shpresa të mëdha te diskutimet e përfaqësuesve të lartë te vendeve të eurozonës.

“Një zgjidhje spektakolare për problemet e borxheve nuk do të ketë në takimin e së enjtes në Bruksel”, tha ajo. Merkel ka biseduar për këtë çështje edhe me presidentin amerikan Barack Obama. Përveç një paketë të dytë shpëtimi për Greqinë me shumë borxhe, në samit do të diskutohet edhe për zgjidhje afatgjata për forcimin e euros.

Kështu, 17 vendet e Eurozonës do të përpiqen që gjatë kësaj jave të bëjnë të mundur të jetë gjithcka gati për paketën e dytë që do të shërbeje për të shpëtuar greqinë. Ka qenë presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian Herman van Rompuy, ai që thirri për të enjten një samit të jashtëzakonshëm në Bruksel me kryetarët dhe kryeministrat e shteteve anëtare. “Në rend të ditës do të jetë stabiliteti i hapësirës së euros në përgjithësi si dhe financimi i ardhshëm i programit të ndihmave për Greqinë”, njoftoi van Rompuy.

Më herët, kryeministri grek Jorgos Papandreu i bëri thirrje BE-së dhe FMN-së të përshpejtojnë marrjen e mbështetjes financiare ndaj Greqisë. Kreu i qeverisë greke e konsideron pozitiv planin e partnerëve të eurozonës për riblerjen e një pjese të borxhit nga vetë Greqia, me kapitale nga Fondi Europian i Stabilitetit Financiar, EFSF, në masën 50 për qind të vlerës së nominuar të obligacioneve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›