Merkel e Hollande bashkë, mbrojnë marrëveshjen për Eurozonën
Liderët e Eurozonës kanë mbrojtur marrëveshjen e arritur në Samitin e Brukselit për të ndihmuar bankat dhe dhe për të ulur kostot e huamarrjes për vendet e goditura si Italia dhe Spanja. Nën presionin për të parandaluar një shkatërrim katastrofik të monedhës europiane, liderët ranë dakord që fondi i shpëtimit të injektojë ndihmë direkt për bankat e goditura, të ndërhyjë në tregjet e bonove dhe të mbështesë vendet më problematike.
Samiti tregoi edhe një herë përplasjen dhe tensionet midis vendeve kreditorëve dhe atyre që janë në borxhe duke vënë në dyshim vazhdimësine e mondhës euro. Por pavarësisht kësaj kancelarja gjermane Angela Merkel tha se në Samit ishte arritur një përfundim produktiv për të gjithë.
"Ne të gjithë mendojmë se kemi arritur një pakt të rëndësishëm për të sjellë rritjen. Kemi bërë një marrëveshje për të stabilizuar tregjet financiare me një periudhë afatmesme nga një organ mbikëqyrës që është Banka Qendrore Evropiane dhe së treti kemi gjetur metodën e punës për zhvillimin afatgjatë të Bashkimit Ekonomik "tha Merkel.
Kancelarja gjermane tha se ishte e kënaqur me rezultatin, por theksoi se marrëveshja do të funksionojë vetëm nëse të gjitha palët respektojnë rregullat.
Analistët e kanë cilësuar rezultatin e Samitit si një humbje të papritur për Merkel, i cili kishte thënë më parë se nuk do të ketë asnjë ndihmë të re pa kushte.
Në një konferencë të veçantë, presidenti i ri francez Francois Hollande ishte optimist, ndërsa theksoi se rritja do të ketë një ndikim të shpejtë në ekonominë europiane.
"Instrumentet e reja janë përpunuar. Masat e reja që kemi rënë dakord, në rikapitalizimin e bankës Europiane, për mobilizimin e fondeve strukturore dhe të ndërhyrjeve efikase në tregjet do të sjellin stabilitetin"-tha Hollande. Ndërkohë tregjet e aksionet evropiane kanë pasur një rritje. Bursa e Londrës shënoi një rritje me 1.74 për qind, ajo gjermane me 2.39 për qind ndërsa bursa e Parisit me 2.86 për qind.