Merkel kërkon angazhimin e Izraelit
Duke pasur parasysh gjendjen në Egjipt, kancelarja gjermane Angela Merkel, i ka kërkuar Izraelit të rrisë përpjekjet në procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Ajo foli në Jerusalem, e shqetësuar për zhvillimet në Nil.
Koha nuk pret, duke pasur parasysh ngjarjet në Egjipt dhe në shtetet arabe, përpjekjet e paqes në Lindjen e Mesme duhet të rifillojnë sërish pa humbur kohë, sepse stabiliteti i rajonit është i pasigurt, tha Merkel në Jerusalem, pas një bisede një orë e gjysmë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, bisedë kjo që nga pala gjermane u quajt "shumë objektive dhe serioze".
„Sipas mendimit tim, ajo që ne e quajmë procesi i paqes në Lindjen e Mesme, ndodhet në një situatë që ka rëndësi kaq themelore. Ne duam një zgjidhje me dy shtete. Gjermania ka thënë gjithnjë se është për një shtet hebre izraelit dhe për një shtet palestinez. Dhe unë natyrisht kam thënë se sipas pikëpamjes sime bisedimet janë të pashmangshme, dhe ato duhet të fillojnë sa më parë“, tha Merkel.
Nëpërmjet asaj që, siç tha ajo shprehimisht, "ndodh përreth Izralit", është rritur në mënyrë të konsiderueshme domosdoshmëria e rifillimit të bisedimeve direkte midis Izraelit dhe autoriteteve autonome palestineze.