E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel marrëveshje Jiabao, Kina blen 50 avionë gjermanë

Kina nënshkroi një marrëveshje për blerjen e 50 avionëve “Airbus” nga gjiganti evropian i industrisë së aeroplanëve. Vlera e kësaj marrëveshje llogaritet në 3.5 miliardë dollarë dhe është pjesë e marrëveshjeve tregtare të firmosura nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri kinez Wen Jiabao.

Një marrëveshje për ngritjen e një impianti për prodhimin e pjesëve të “Airbus” në Kinë u firmosu gjithashtu, njofton agjencia kineze e lajmeve Xinhua.

Kryeministri Jiabao deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp të enjten se vendi i tij do të vazhdojë të investojë në shtetet e BE-së dhe të ndihmojë vendet e eurozonës që të dalin nga kriza në të cilën janë përfshirë.

“Kina do të shtojë komunikimin me BE-në, Bankën Qendrore Evropiane, bankat qendrore të vendeve kryesore të eurozonës, në mënyrë që të ndihmojë vendet e BE-së të dalin nga kriza e borxhit”, tha kryeministri kinez.

Më parë, gjatë vitit Kina kishte bojkotuar avionët “Airbus” në favor të rivalëve amerikanë “Boeing”, si shenjë mos aprovimi ndaj imponimit prej BE-së të një rregullore strikte mbi emetimet e karbonit nga linjat ajrore, çka përjashtoi disa linja kineze nga fluturimet e tyre në Evropë.

Kjo është vizita e dytë e Merkel në Kinë brenda këtij viti. E para, e zhvilluar në muajin shkurt, hodhi bazat për nisjen e konsultimeve ndërqeveritare mes dy vendeve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›