Merkel pritet me protesta në Athinë
Mbi 40 mijë persona protestojnë në sheshin qëndror Syntagma në Athinë përpara parlamentit. Shifra jepet nga burimet e policisë greke ndërsa për organizatorët flitet për një numër edhe më të madh manifestuesish. Sipas drejtuesve të sindikatave më të mëdha në vend protestat vijojnë në kuadër të masave të reja shtrënguese të kërkuara nga trojka për qeverinë greke si dhe kundër vizitës së kancelares Angela Merkel. Demonsturesit kanë lëshuar gurë mbi agjentët dhe policinë në sheshin "Syntagma". Fillimisht një grup manifestuesish kanë goditur një barrikadë policie për të tentuar hyrjen në kryeministri ku ende po vijon takimi i Merkel –Samaras. Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit. Disa manifestues grekë kanë hedhur shishe plastike kundër eskortës që po shoqëronte Angela Merkel drejt kryeministrisë në Athinë. Merkel ka mbërritur në kryeqytetin grek rreth orës 13,30 dhe është pritur nga kryeministri dhe forca të shumta sigurie. Vizita e saj e parë në Greqi që pas shpërthimit të krizës do të zgjasë vetëm për disa orë. Pas takimit me Smaras kancelarja gjermane do të pritet nga presidenti i Republikës Karolos papulias dhe destinacioni i saj fundit do të jetë komuniteti i biznesit grekë dhe gjermanë.
Ndërkaq, masat e sigurisë për vizitën e zonjës Merkel që ka planifikuar policia greke, janë drakoniane. Rreth 7000 policë e kanë shndërruar në një “kështjellë” kryeqytetin, ndërsa e gjithë forca policore e Atikës është në gatishmëri. Me vendim të drejtorit të përgjithshëm të policisë të Athinës është ndaluar çdo lloj tubimi deri në orën 22,00 në një rreze të madhe rreth hotelit Hilton ku do të qëndrojë kancelarja, por edhe përgjatë gjithë itinerarit që do të ndjekë në vizitën e saj.