Sot marrim statusin
Sot Shqipëria merr rekomandimin zyrtar të Brukselit, që e shndërron në një kandidate zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Drita jeshile për Statusin vjen pas një kursi të fortë reformash, të cilat s’u ndalën nga bojkoti i zgjatur i opozitës, nga bllokimet e rrugëve, grevat e urisë dhe përpjekjet e Edi Ramës kundër aspiratës së shqiptarëve
Shqipëria merr përgjigjen pozitive për kandidimin e saj për statusin e vendit kandidat. Komisioni Europian publikon sot Strategjinë e Zgjerimit për vitin 2012-2013, së bashku me Progres Raportet për vendet kandidate dhe potenciale kandidate.
Duke iu referuar burimeve brenda Komisionit Europian, mësohet se KE do t’i japë Shqipërisë dritën jeshile, për të marrë statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian pasi është njohur me arritjet e reformave dhe përmbushjes së masës kritike të 12 rekomandimeve të BE.
Pak ditë më parë, agjencia italiane e lajmeve “Ansa”, zbuloi një pjesë të raportit, ende të papërfunduar të Komisionit Europian, që pritet të publikohet më 10 tetor, në kuadër të politikave zgjeruese të BE-së.
Sipas raportit të Komisionit Europian, dialogu mes qeverisë dhe opozitës shqiptare bëri të mundur kapërcimin e krizës dhe miratimin në kohë të reformave kyçe, si kodi zgjedhor apo reforma parlamentare, në mënyrë që vendi të ecë përpara në rrugën drejt BE-së. Sipas dokumentit, Tirana zyrtare ka bërë një punë të mirë, për sa i përket përmbushjes së rekomandimeve të BE-së për marrjen e statusit kandidat.
Pa dyshim këtë vit Shqipëria ndodhet në pozita më të favorshme se dy vitet e shkuara për të përfituar statusin, për shkak të plotësimit të masës kritike në 12 kriteret që Komisioni Europian i ka lënë qeverisë dhe klasës politike për të përmbushur. Qe prej 14 nëntorit 2011 palët i janë rikthyer dialogut politik, i cili ka prodhuar disa rezultate konkrete si: Miratimi i reformës zgjedhore; zgjedhja e Avokatit të Popullit, miratimi i disa ligjeve të rëndësishme që kërkonin shumicë të cilësuar; si dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese për kufizimin e imuniteteve të zyrtarëve të lartë. Kjo marrëveshje, për të cilën komisioneri Fyle ka apeluar vazhdimisht të përmbushet ka prekur finishin, pasi palët duket se kanë rënë dakord edhe për miratimin e reformës parlamentare, pasi secila bëri lëshimin e saj.
Do të jetë Komisionari për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë në Komisionin Europian Stefan Fule që do të prezantojë raportet e progresit për vendet aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian, rreth orës 11:15 të së mërkurës. Në orën 13.30 do të mbahet një konferencë për shtyp për të deklaruar zyrtarisht përmbajtjen e paketës së zgjerimit me progres raportet përkatëse. Më pas autoritet shqiptare do të marrin progres-raportin përmes delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë. Ambasadori Sequi pritet që në mbrëmjen të mbajë dhe një konferencë për median.
Ndërkaq disa pika të marrëveshjes së 14 nëntorit 2011 janë parë nga opozita parlamentare edhe si mundësi për të përfituar pozicione politike, çka ka sjellë vonesa të panevojshme. Një shembull, kufizimi i imunitetit erdhi pas një debati 2 mujor të panevojshëm me kushte, me propozime për referendum, me lëshime, etj. Ndërsa reforma parlamentare ka mbetur në sirtar për shkak se PS-ja ka kërkuar 2 amendamente të reja (barazimi i kohës së kryeministrit me kreun e grupit parlamentar të opozitës dhe votimin e fshehtë për dekretet e presidentit për gjyqtarët) që padyshim kërkojnë ndryshimin e disa neneve të Kushtetutës, jo të parashikuara në marrëveshjen e mëparshme për ngritjen e grupit të punës për rregulloren e parlamentit.
Gjithashtu miratimi i ligjit “për Gjykatën e Lartë” që është një prej 12 pikave të rekomandimit të komisionit për Zgjerim dhe është kthyer në një betejë politike në çastet e fundit nga ana e opozitës. Arsyeja ashtu si motivet kanë qenë e janë të dobëta. Kreu i opozitës ka deklaruar zyrtarisht se kushtëzimin e radhës për reformat që kërkojnë edhe votat e Partisë Socialiste, duke nxjerrë një betejë ligjore lokale në qarkun e Fierit në një betejë kombëtare që rrezikon bllokimin e marrjes së statusit të vendit kandidat. Në qarkun e Fierit mes PD dhe mes PS ekziston një kontradiktë për kreun e këshillit të Qarkut dhe për këtë arsye palët janë në gjyq.
Sigurisht në një kontekst apo në ndonjë vend tjetër mund të dukeshin qesharake kërkesa e PS-se, e cila sikur të ishte në pazar, në këmbim të qarkut të Fierit të japë votën për ligjin Gjykatën e Lartë, që do ta afronte Tiranën më afër me Brukselin.
Brukseli hap dritën jeshile për statusin kandidat
Agjencia e lajmeve Italiane “Ansa” në një raport të saj të djeshëm nga Brukseli shkruante se Komisioni Evropian do t`i japë dritën jeshile Shqipërisë, pasi vendi do të marrë zyrtarisht ftesën për të qenë kandidat i ri për anëtarësim në BE. Duke iu referuar burimeve brenda BE-së, “Ansa” shkruante se Tirana e cila ka aplikuar për anëtarësim më 27 prill të vitit 2009, mund të marrë statusin ditën e sotme. Për të propozuar statusin, Komisioni është fokusuar në përmbushjen e prioriteteve "në masën kritike": votime ligjesh në parlament apo zgjedhja kushtetuese e Presidentit, vendet anëtare janë shumë më të ndjeshme ndaj çështjes së zgjedhjeve të vitit 2013 dhe fushës së sundimit të ligjit ku përfshihen lufta kundër korrupsionit, krimit dhe trafiqeve, e mbi të gjitha, pavarësia e gjyqësorit, institucioneve të pavarura dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
Ndërsa asgjë e re nuk është parashikuar në raportin e BE për sa i takon Serbisë, lidhur me punën që po bëhet për dhënien e sinjaleve konkrete mbi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërkohë që në raport thuhet sipas “Ansa”-s së po bëhet diçka mbi Prishtinën. Në studimin e kryer i cili do të prezantohet të mërkurën Komisioni i BE do të propozojë nisjen në vitin e ardhshëm të negociatave për një marrëveshje të stabilizim asociimit me Kosovën, pavarësisht nga statusi i saj, pasi ende nuk është njohur në pesë vende të BE si Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia.