Merkel, rizgjidhet në krye të CDU-së

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel është rizgjedhur në krye të CDU-së gjermane. Merkel është rizgjedhur nga kongresi i CDU-së. Kancelarja gjermane Merkel rizgjidhet me 847 vota pro, 46 kundër dhe 16 abstenime. Ndërkohë që në Kongres Angela Merkel, iu ka bërë thirrje për solidaritet partive të unionit kristiandemokrat-kristiansocial, CDU dhe CSU. Të dy këto parti mund të mposhtin së bashku sfidat e shekullit të 21-të. Njëkohësisht Merkel ka bërë një bilanc pozitiv të punës së qeverisë së kryesuar prej saj. Teksa kancelarja gjermane ka refuzuar kërkesat për ulje të shpejtë të barrës fiskale për t'i ardhur në ndihmë ekonomisë. Por në rast se recesioni vazhdon ajo parashikon ndihma të tjera për të luftuar krizën ekonomike dhe financiare. Gjermania do t'i mbajë opsionet e hapura tha Merkel para rreth 1000 delegatëve në kongresin e CDU-së në Stutgart. "Meqënëse kjo krizë është kaq e jashtëzakonshme, ne do të vazhdojmë të analizojmë situatën. Gjermania do t'i mbajë të hapura të gjitha opsionet për të luftuar me efektivitet pasojat e kësaj krize. Gjermanët mund të mbështeten tek një qeveri që vepron me përgjegjësi dhe kujdes dhe kur është e nevojshme edhe shumë shpejt. Por unë ju them gjithashtu se nuk do të marrim pjesë në garën për propozime gjithnjë e më të reja për ndihma në shuma miliardëshe. Edhe në këto kohë ne kemi përgjegjësi përpara taksapaguesve sot dhe atyre në të ardhmen", ka thënë kryetarja e rizgjedhur e CDU-së Angela Merkel. Ndërkohë që në kongresin e CDU-së ka marrë pjesë edhe ministrja shqiptare e Integrimit dhe njëkohësisht zëdhënësja e qeverisë, zonja Majlinda Bregu.