Merkel viziton Ballkanin, nuk dëgjon lutjet e Berishës
Kancelaria gjermane pritet të nis një tur në Ballkan javën që vjen. Të hënën ajo do jetë në Kroaci. Në axhendën e saj është edhe Serbia dhe Mali i Zi. Analistët thonë se mesazhi i saj do jetë ai se kushdo që bën reformat, i ka dyert e hapura në Bashkimin Europian. Jashtë këtij turi ka mbetur si zakonisht Shqipëria, e cila që pas zgjedhjeve të vitit 2009 është izoluar në skenën ndërkombëtare. Është për tu çuditur se përse Merkel ka refuzuar kaq shumë ftesa të Berishës për të vizituar Shqipërinë. Thuajse sa herë ka shkuar në ndonjë samit (kaq është mundësia e tij), ai e ka ftuar Merkelin. Gjeni më poshtë të nxjerra nga siti i kryeministrisë ftesat e Berishës për Merkel dhe optimizmin e tij se kjo vizitë do realizohej.
22/11/2010
U takova më te gjithë kryeministrat dhe presidentët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Kisha një detyrim të madh moral që tju shprehja mirënjohjen tonë më të thellë për vendimin për heqjen e vizave për shqiptarët, vendim fisnik. Këtë falënderim, ia shpreha Kancelares Merkel, me të cilën diskutova gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri arritjet e saj, presidentin Sarkozi, i cili me premtoi së bashku me Kancelaren Merkel, se do të vizitojë Shqipërinë.
21/11/2010
Në samit unë takova Presidentin Nikola Sarkozi. Shumë i përzemërt, ai më rikonfirmoi vendimin e tij për të vizituar Shqipërinë. Pata një bisedë të zgjeruar me Kancelaren Angela Merkel, e cila, gjithashtu, më rikonfirmoi vendimin e saj për të vizituar Shqipërinë
05/10/2010
Duke shpresuar tJu pres së shpejti në Tiranë, si mike e madhe dhe e shquar e shqiptarëve e mikja ime personale, gjej rastin tJu ripohoj sigurimet e respektit e të konsideratës sime më të lartë.
10/12/2009
Më duhet të them se jehona botërore e festimit të 8 Dhjetorit në Tiranë ishte e pranishme gjerësisht në këtë kongres dhe janë të shumtë pjesëmarrësit e kongresit por edhe udhëheqësit kryesorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera, të cilët kishin ngelur jashtëzakonisht të entuziazmuar nga ajo shfaqje madhështore.
Në radhë të parë diskutova për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjeta mbështetje të plotë; një diskutim të veçantë pata kësaj radhe me presidentin e sapo zgjedhur të BE-së, Herman Van Rompuy, të cilin kam patur rastin ta njoh dhe të kem lidhje mjaft pozitive, ndofta dhe miqësore edhe para këtij takimi që zhvilluam, e njoha me të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Ai më premtoi se vitin e ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë, sikundër kam marrë një premtim të prerë nga Kancelarja Merkel për të vizituar Shqipërinë.
BONUS
20/12/2009
E veçantë, e shkurtër, miqësore, ishte biseda me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama, i cili më pyeti përzemërsisht: Si po shkojnë shqiptarët? Iu përgjigja: Shkojnë mirë, por që të gjithë pa përjashtim janë në pritje të një ngjarje të veçantë të premtuar! Të cilës ngjarje? mu drejtua presidenti. Të vizitës tuaj në Shqipëri, vizitë të cilën unë pas takimit me ju në Nju Jork, jua njoftova Shqiptarëve se do të bëhet. It will happen.