Merr fund lufta tregëtare Kosovë-Maqedoni, hiqet taksa nga Shkupi
Merr fund lufta tregtare disa ditore mes Kosovës dhe Maqedonisë. Qeveria e Maqedonisë pasdite hoqi masën e ndalesës së importit të prodhimeve të miellit, duke i hapur rrugë tejkalimit të krizës.
Lajmin e ka konfirmuar zv/kryeministri Hajredin Kuçi. Detaje ka dhënë në Twitter zv/kryeministrja tjetër, ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, e cila ka shkruar se Qeveria e Maqedonisë ka vendosur të heqë barrierën për miellin e Kosovës në mesnatën ndërmjet 14 dhe 15 shtatorit.
Kuçi ndërkaq ka thënë se gjendja do të kthehet në pikën zero dhe se rol të rëndësishëm në këtë ka pasur edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Vendimi qeveritar pritet të hyjë në fuqi nesër në mesnatë, ndërsa pas kësaj Qeveria e Kosovës pritet të heqë embargon e plotë për prodhimet e Maqedonisë.
Me vendimin e Qeverisë së Shkupit hapet rruga e importit të prodhimeve të miellit edhe nga Kosova, një problematikë që nxiti vendimin e palës kosovare për vendosjen e ndalesës për një pjesë të prodhimeve maqedonase, që çoi më pas në vendimin reciprok nga Shkupi me aplikimin e taksës hyrëse për qytetarët e Kosovës.
Me thellimin e krizës tregtare, Qeveria e Kosovës në fillim të javës vendosi embargo totale për prodhimet e Maqedonisë, një vendim që dëmton rëndë ekonominë e Maqedonisë, e cila eksporton mbi 300 milion euro në vit prodhime dhe mallra në Kosovë.
Deri në fund të javës pritet t`i jepet fund krizës tregtare dhe të lëvizjes së lirë midis Kosovës dhe Maqedonisë. Njëkohësisht edhe shoqata e transportuesve maqedonas MAKAMTRANS pritet të vendosë heqjen e barrikadave.