E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr peng të dashurën, hetohet i lirë

Erjola Azizolli

Mbante peng 16 vjeçaren duke e detyruar që të bashkëjetoj me të jashtë dëshirës së saj, ndërkohë që tashmë është nën hetim nga ana e policisë dhe mbi të rëndojnë tre akuza. Ka qënë adoleshentja me inicialet H.H, banuese në lagjen “Barrikadë” të Beratit e cila ka denoncuar në polici ish-të dashurin e saj 23 vjeç. Burime nga policia e Qarkut të Beratit bënë me dije se në orët e vona të mbrëmjes së të dielës ka mbërritur në rajonin e policisë 16-vjeçarja e shoqëruar nga familjarët e saj. Ajo ka pohuar në polici se ishte mbajtur peng prej disa orësh në banesën e ish-të dashurit të saj me të cilin ishte lidhur gjashtë muaj më parë. Vajza ka pohuar në polici se Sajmir Kabilo kishte shkuar në shtëpinë e saj dhe e ka marrë atë forcërisht në shtëpinë e tij për të bashkëjetuar. H.H e ka pranuar faktin se me 23-vjeçarin kishte pasur një lidhje por ajo ishte ndërprerë kohët e fundit. Vajza mësohet se ka përfunduar në banesën e Kabilos ku ai pretendonte të bashkëjetonin. E ndodhur në këto kushte ajo ka kërkuar ndihmën e familjarëve të saj dhe bashkë me ta ka mbërritur në polici për të bërë denoncimin. Ajo është marrë në pyetje në prani të familjarëve dhe psikologut për disa orë ku ka treguar gjithçka rreth ngjarjes.

Ekspertët e policisë e kanë shoqëruar në komisariat 23-vjeçarin Kabilo, ndërsa më pas u vendos ndjekja e tij penale në gjendje të lirë. Tre akuzat që rëndojnë mbi Sajmir Kabilon janë:

1 Heqje e paligjshme e lirisë

2 Shtrëngim apo pengim për të bashkëjetuar

3 Dhunim banese

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›