Arben Malaj: “PS nuk duhet të ketë liri të kushtëzuar brenda saj”

Reagimet e “Mendimit Ndryshe”
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, tha se Partia Socialiste duhet të dalë me premtime të besueshme dhe shpresëdhënëse, në mënyrë që të riparohen problemet e së kaluarës. “Ky është një kongres katërvjeçar, i cili duhet të miratojë programin politik jo një program elektoral të Partisë Socialiste. Njëkohësisht kongresi duhet të miratojë kushtetutën, pra statutin e Partisë Socialiste. Kongresi duhet të vazhdojë me diskutime lidhur me atë që përbën thelbin: Shqiptarët janë në një moment kritik, dhe Partia Socialiste ka misionin historik të vijë sa më parë në pushtet. Gjithmonë kemi diskutime se cila është rruga më e mirë. Dëshira është e përbashkët, por rruga duhet qartësuar. Dua të theksoj mesazhin që më ka ardhur nga takimet me shumë studentë dhe të rinj shqiptarë: Partia Socialiste, përballë populizmit të Berishës, duhet të vendosë seriozitetin, përgjegjshmërinë dhe kredibilitetin maksimal. Kur ne të vijmë në pushtet situata politike do të jetë më e vështirë. Fitoret politike nuk janë më me distanca të thella, por fitore të ngushta. Është e vështirë që të krijohen qeveritë e reformave. Elementi thelbësor që duhet të bëjë dallimin në premtimet për një mirëqeverisje do të jetë kredibiliteti. Duhet kredibiliteti i premtimeve publike dhe kredibiliteti i vlerave që do të angazhojë Partia Socialiste, bashkë me aleatët e saj, me shoqërinë civile dhe me faktorët socialë në vend, për ta ndryshuar cilësisht qeverisjen e shqiptarëve”, tha ai. Duke u ndalur te idetë e Mendimit Ndryshe, Malaj thotë se ato synojnë të demokratizojnë PS-në. “E para dhe kryesorja; Partia Socialiste duhet të jetë një parti institucionale. Ne duhet ta zhdukim frikën e bojkoteve dhe ngërçeve politike nga realiteti politik shqiptar. Ky është një parakusht, duke patur parasysh edhe vështirësitë që kemi. E dyta; ne duhet t’i japim energji pozitive partisë socialiste. Të heqim barrierat. Për të fituar neve na duhet më shumë liri dhe jo më pak liri; aq më pak na duhet liri e kushtëzuar nga ata që mendojnë se e kanë këtë të drejtë. Ne mund të të kufizojmë mandatet politike; jo më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme në nivel politik dhe në nivel qeverisës. Demokracia shqiptare pas ndryshimeve spontane të kushtetutës në vitin 2008, ka pësuar deformime akoma më të thella. Jemi republikë parlamentare që zgjedhim me votën e shqiptarëve vetëm kryetarët e komunave dhe të bashkive. Po na krijohet një kastë, e cila merr një mandat politik, rri në pushtet 3-4 mandate dhe detyrimin që ka ndaj gjithë shqiptarëve dhe atyre që e kanë votuar majtas apo djathtas nuk e përmbush. Problemet janë të mprehta për partitë politike, por angazhimi jonë, çka e morëm si mesazh nga rinia, është misioni për ta modernizuar politikën shqiptare, Këtë angazhim e ka më të plotë Partia Socialiste. Ajo nuk duhet të humbasë asnjë minutë kohë për të bërë më të mirën; të maksimizojë sinergjitë pozitive të burimeve që ka në vetvete, të rritet Partia Socialiste sa më shumë, të jetë e hapur për koalicione në mënyrë që qeveria e 2013 të mos ngjajë me qeverinë aktuale. Jo thjesht për shkallën e korrupsionit, as për shkallën e kapjes së shtetit, por sidomos për faktin që vetëm mbijeton dhe nuk bën dot reformat. Duhet t’i kërkojmë falje opinionit publik shqiptar që kemi dështuar për reformat e mëdha dhe kemi dështuar për herë të dytë rresht për t’u bërë vend kandidat në Bashkimin Europian. Më e keqja është se kemi dështuar pikërisht në kohën kur dyert e Europës janë hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor. Po ecin më shpejt vendet e tjera që kanë krijuar kriza dhe konflikte dhe nuk duhet të hezitojmë që të diskutojmë atë që duhet të bëjmë mirë që Shqipëria në asnjë mënyrë të mos mbetet pas, por të ecë më shpejt, sepse ka qenë kontributori i paqes dhe prosperitetit në Ballkan”, tha ai.
...