Merreni Listin
Partiture e Listit
Durrësi i dhuron delegacionit të mysafirëve hungarezë, partiturën e kompozitorit të madh Liszt
Një delegacion i Bashkisë së Budapestit (Hungari), i kryesuar nga kryebashkiaku Gabor Demzsky ka vizituar qytetin e Durrësit ditën e djeshme për disa orë. Ndërsa në mbrëmje, në mjediset e Torrës veneciane u organizua një koncert operistik me këngëtarët lirikë të Teatrit Kombëtar të Operës së Hungarisë. Në këtë koncert ishte rezervuar edhe një surprizë për delegacionin hungarez. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i dhuroi kreut të Bashkisë së Budapestit një partiturë të panjohur më parë të kompozitorit të madh Liszt. Partitura ishte kopja e një dokumenti origjinal të kompozitorit të mirënjohur austro-hungarez Franz Liszt, e cila ruhet në arkivin qendror shtetëror në Tiranë. Si vëllim ky fond është i modës. Ai ka gjithsej dy dosje me tri fletë autoshkrimi të Liszt-it, një partiturë origjinale, si dhe me 18 fletë përkthime. Partitura gjendet në arkivat qendrore të shtetit që prej vitit 1962. Më parë dokumenti ka qenë pronë familjes së Kolë Lukës dhe janë ruajtur përmbi një shekull prej disa brezash. Por fati i mbërritjes dhe i ruajtjes së dokumenteve të Liszt-it në Shqipëri është në vetvete një histori që qëndron në lartësinë e meritës të krijuesit të tyre, por nga rrjedha dramatike shpeshherë ajo është rrezikuar. Kolë Luka, i cili ishte një dashamirës i muzikës që pati meritën të njihte kompozitorin e njohur, i shpëtoi dokumentet nga shitja me kilogram. Shkodranët Luka ishin tregtarë dhe lëviznit në qytete të ndryshëm jashtë vendit, si Ulqin, Gjakovë, Greqi etj., dhe se ishte krejt rastësi rënia në dorë të tyre e dokumentit. Drejtori i Departamentit të Kulturës pranë Bashkisë së Durrësit, Ardian Gura, shpjegon se partitura ka mbërritur në Shqipëri ndërmjet viteve 1842-1845 dhe që prej vitit 1962 ndodhet në arkivat shtetërore. Ardian Gura, drejtor i Departamentit të Kulturës në bashki, ka thënë se “partitura e panjohur e Liszt në përpunim artistik titullohet “Fantazia”. Titulli është marrë nga letrat e kompozitorit drejtuar madamë Camille Pleyel, një kompozitore e njohur, ku në tekstin origjinal në frëngjisht thuhet “Fantazinë time”.