Merret vendimi - thyerja e bojkotit do të ndodhë para 15 dhjetorit
Deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste kanë siguruar edhe mbështetjen e anëtarësisë dhe të zgjedhësve të tyre për t’u paraqitur në parlament para mbylljes së sesionit të parë, pra para datës 15 dhjetor. Thyerja e bojkotit ka aktualisht mbështetjen e një peticionit të gjerë të anëtarësisë socialistë dhe pritet që të regjistrojë ndarjen mëdysh të grupit parlamentar të PS-së
Durimi i deputetëve të PS-së, përballë kapriçiove të Edi Ramës, për urdhërim pa shkak të bojkotit të Parlamentit, do të marrë fund shumë më shpejt se kufiri 6-mujor, i vënies në diskutim të mandateve të tyre. Në këtë vendim të tyre, deputetët “bojktothyes”, po sigurojnë edhe mbështetjen e elektoratit të partisë së tyre.
Përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe brenda Partisë Socialiste, deputetë të kësaj partie të njohur si kundërshtarë të Edi Ramës, kanë paralajmëruar se do të kthehen në Kuvend, para përfundimit të sesionit parlamentar për këtë vit.
Burimet e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS, shprehen të sigurt se vendimi i tyre është një tjetër hap i ndërmarrë prej tyre, përballë dhe në rast se linja zyrtare në PS-ja do të vijojë të mbajë të pandryshuar qëndrimin për bojkot të Kuvendit.
Lidhur me mënyrën e hyrjes së deputetëve në Kuvend, mësohet se, hyrja e tyre nuk do të jetë e organizuar në një seancë të vetëm e të caktuar, por në mënyrë spontane dhe individuale, përmes disa seancave të veçanta, ku secili prej tyre do të bëjë betimin dhe do të marrë mandatin e tij, të deputetit.
Të njëjtat burime të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, kanë saktësuar se, një veprim i tillë, do të fillojë të bëhet publik në seancat e ardhshme parlamentare, ndërsa paralajmërojnë se do të konsumojnë edhe një herë diskutimin e këtij vendim në grupi parlamentarë të PS-së. Nëpërmjet këtij diskutimi të mundshëm, deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, do të tentojnë të bindin sa më shumë deputetët, në ndryshimin e vendimit të lidershipit të PS-së.
Vendimin për hyrjen në parlament të një numri deputetësh, të grupit parlamentar të PS-së, mësohet se po e nxit dhe po e përshpejton më tepër edhe indiferentizmi i kreut të partisë, Edi Rama. Këtë indiferentizëm të pleksur edhe me frikë, kryesocialisti po e demonstron duke bllokuar edhe mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Javën e kaluar, mësohet se deputetët e PS-së kishin marrë një njoftim për mbledhjen e grupit të tyre parlamentar. Por, çuditërisht, përmes një tjetër njoftimi kjo mbledhje u anulua. Ajo që shqetëson më shumë deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS, është mosdhënia e një afat të mundshëm, se kur do të organizojë mbledhjen e radhës grup parlamentar i partisë së tyre.
Ndërkohë, mësohet gjithashtu, se deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe kanë filluar përpjekjet për të siguruar edhe mbështetjen e bazës së partisë, si edhe të zgjedhësve të tyre. Prej disa ditësh, mësohet se deputetët që janë pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS kanë nisur një tur takimesh dhe mbledhjesh firmash në zonat që ata përfaqësojnë. Nëpërmjet këtij turi dhe firmave që po mbledhin, ata kërkojnë që të jenë pjesë e legjislativit. Këto takime të deputetëve socialistë të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, me anëtarësinë dhe zgjedhësit e tyre, kanë për qëllim që veç sqarimeve për arsyet pse PS-ja duhet të jetë në Kuvend, ju kërkojnë anëtarëve dhe zgjedhësve të PS-së edhe plotësimin dhe nënshkrimin e një formulari, ku kërkohet dhe miratohet, hyrja në Parlament e tyre. Nga ana tjetër, mësohet se ky formular është hartuar në formën e një peticioni, nëpërmjet të cilit, anëtarët dhe zgjedhësit e PS-së, kërkojnë që të zgjedhurit e tyre në garën elektorale të 28 qershorit të bëhen pjesë e Parlamentit shqiptar, për të cilin edhe janë votuar.
Përveç qëllimit kryesor, të hyrjes në Parlament, deputetët socialistë të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, janë duke punuar edhe për hartimin e një drafti, nëpërmjet të cilit parashikohen propozime për ndryshime të programit politik të partisë, si dhe propozime për ndryshime në statutin e partisë. Nëpërmjet propozimeve për ndryshime në draftin e tyre, deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, kanë parashikuar edhe kërkesa të tjera, për sa i përket organizimit dhe funksionimit të partisë, strukturave të saj, si edhe grupit parlamentar.