E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Klinton, në Prishtinë për të konfirmuar një partneritet të ri mes shqiptarëve dhe SHBA-së

Pritje madhështore në Prishtinë për presidentin e 42-të të SHBA-së, Bill Klinton. Ardhja e tij sanksionoi pakthyeshmërisht partneritetin mes shqiptarëve dhe amerikanëve, ndërkohë që rinovimi i mbështetjes nga administrata e presidentit Obama dhe e sekretares Hillari Klinton garanton një përshpejtim të ritmeve të afirmimit të shqiptarëve si një faktor i rëndësishëm në rajonin e Evropës Juglindore

Ish-Presidenti Amerikan, Bill Clinton, ka mbërritur në Prishtinë. Ai vjen për herë të tretë, në vendin tonë, por kësaj radhe në Republikën e Kosovës. Njeriu që dha kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës, sërish do të ketë rastin të përjetojë dashurinë e kosovarëve për të. Me ftesë të Kryeministrit Hashim Thaçi, miku amerikan, fillimisht do të ketë një takim me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Thaçi. Vizita e tij shihet si rikonfirmim i miqësisë ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij amerikan. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së Qeverisë, të shtunën, ku edhe shpalosi agjendën e vizitës së ish-Presidentit Clinton. Kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë bërë të gjitha përgatitjet për pritjen e ish presidentit të SHBA-së, Bill Clinton. Ai tha se në shenjë mirënjohje dhe respekti për angazhimin e madh që ka dhënë ish-presidenti Clinton për lirinë dhe demokracinë e Kosovës, populli kosovar i ka ngritur një shtatore në qendër të kryeqytetit. “Besoj që do të jetë një pritje e nivelit më të lartë dhe natyrisht i ftoj edhe gjithë qytetarët që të jenë në Sheshin ‘Bill Clinton’”, ka thënë ai. Edhe Presidenti Fatmir Sejdiu ftoi institucionet dhe qytetarët e vendit për t’i bërë një pritje madhështore mikut të madh të vendit tonë. “Republikën e Kosovës e viziton Presidenti Bill Clinton, njeriu i cili i priu angazhimit më të madh humanitar të botës moderne për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga zhbërja fizike. Duke i pasur parasysh meritat e tij të jashtëzakonshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si president i vendit, ju ftoj që këtë të diel t’i bëjmë një pritje madhështore, ashtu siç na ka hije, Presidentit Clinton”, thuhej në mesazhin e Presidentit Sejdiu. Ai ritheksoi mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. “Republika e Kosovës do t’u jetë përherë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Clinton, i cili, në çastet në të rënda të historisë sonë, udhëhoqi aleancën e madhe të vendeve demokratike e liridashëse të botës për ta ndaluar makinerinë gjenocidiale të Millosheviçit, e cila po e dëbonte popullin e Kosovës nga vatrat e veta, si dhe po i shndërronte fshatrat e qytetet tona në tokë të djegur”, ka thënë Sejdiu. Presidenti i Kosovës ka shtuar se vizita e Presidentit Clinton në Kosovë, e para pas pavarësimit të vendit, është një inkurajim i madh për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, në udhën e pakthyeshme të integrimeve euroatlantike.
Gjatë fjalës së tij në parlament, presidenti i 42-të i SHBA-ve ka theksuar se ndihej i nderuar që kishte pasur rolin e tij në ndihmë të shqiptarëve. “Tani duhet të mendojmë se çka do të bëni dhe një prej gjërave që kam mësuar është fakti se është shumë më e lehtë për njerëzit, të ndajnë të ardhmen, nëse mendojnë më shumë për të dhe më pak për të kaluarën”, tha presidenti amerikan, Bill Klinton. “Ndihem i nderuar që gjendem në Kosovë dhe po mbaj një fjalim, aty ku ka mbajtur fjalën e vet edhe nënpresidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, një mik me të cilin kam punuar për vite të tëra”. Duke përmendur arritjet e deritashme që prej përfundimit të luftës në Kosovë, presidenti i 42-të i SHBA-ve i ftoi të gjithë shqiptarët e Kosovës të ndjehen krenarë me rrugëtimin e tyre deri më tash. “Ato me çka jeni përballur ju para një dekade dhe atë që jeni duke e ndërtuar prej atëherë, është një rrugë të cilën duhet të shkojë bota në shekullin 21”, tha Bill Klinton, për të shtuar se “është me rëndësi që njerëzit të jenë krenarë për atë se çka janë, përfshirë këtu rrënjet etnike dhe fetare”. Ai ka rikujtuar edhe vizitat që me bashkëshorten e tij, Hillari Klinton - e cila sot është sekretare amerikane e shtetit, kishte bërë në kampet e refugjatëve ku ishin zhvendosur shqiptarët e Kosovës. “Kurrë nuk do t’i harroj fytyrat e njerëzve dhe rrëfimet e tyre”, tha presidenti Klinton.
Pas adresimit në Kuvend, zoti Klinton u nis për në bulevardin që mban pikërisht emrin e tij, për të përuruar shtatoren e njeriut që në Kosovë cilësohet si hero. Bulevardi që prej orëve të hershme të mëngjesit, është mbushur plot me qytetarë, të cilët në duar mbajnë flamuj amerikanë dhe portrete të ish presidentit amerikan. Nga skena me mbishkrimin “Kosova nderon heroin”, ish presidenti amerikan, Bill Klinton, përshëndeti numrin e jashtëzakonshëm të qytetarëve që kishin dalë për të marrë pjesë në përurimin e shtatores së Klintonit, në sheshin “Bill Klinton”. Ai iu drejtua turmës me fjalët “Falemnderit që më mirëpritët”. “S’kam pritur se dikush do të bëjë një shtatore aq të madhe për mua”, tha ish presidenti amerikan, duke shtuar se “ndihem jashtëzakonisht mirënjohës që kam pasur mundësinë për t’ua dhënë juve shansin të ndërtoni një të ardhme më të mirë”. Në turmë gjithandej valëviteshin flamujt amerikanë dhe ata kosovarë. Mesazhi kryesor nga organizatorët, “Miqtë e Amerikës – miqtë e Bill Klintonit”, ishte se “Kosova nuk ka harruar gjithë ato që presidenti Klinton ka bërë”.
Ish-presidenti falënderoi ushtarët amerikanë në Kosovë dhe ata të NATO-s, zonjën Medlin Albrajt, Riçard Holbruk, Ueslej Klark, gjithashtu edhe presidentin Xhorxh Bush dhe Kondoliza Rajs. “Dua t’ju siguroj se presidenti Obama, sekretarja Klinton dhe i gjithë populli amerikan është me ju sot dhe do të jenë në të ardhmen tuaj”, tha Klinton. “Ne ndajmë një planet të vogël midis nesh, të kërcënuar nga terrorizmi, sëmundjet, ngrohja globale dhe kriza financiare. Ndajmë edhe ëndërrat për fëmijët tanë. Duhet të vendosim mbi dicka shumë të thjeshtë, qoftë në Kosovë apo kudo tjetër në botë, nëse do të përqëndrohemi tek e nesërmja apo e djeshmja, tek ajo që na bashkon apo ajo që na ndan”, u tha qytetarëve të mbledhur ish-presidenti amerikan. “Besoj se mund të gjeni prosperitet, paqe dhe shpresë, por vetëm nëse e gjeni bashkërisht”, tha në fund ish presidenti amerikan, duke i dhënë fund kështu edhe ceremonisë së përurimit të shtatores.
Vizita e presidentit të 42-të të SHBA-ve ka regjistruar dy fakte të rëndësishme: Ardhja e tij në Prishtinë ishte një ardhje pa kthim në njërën nga kryeqendrat që shqiptarët kanë ndërtuar në rajon. Përmes ngritjes së shtatores në sheshin që mban emrin e tij, ai tashmë është i pranishëm si një dëshmi e miqësisë së konsoliduar mes shqiptarëve dhe amerikanëve, një aleancë që u shfaq fort, jo veç në 1920, kur u garantua sovraniteti i shtetit të ri shqiptar, por edhe pas vitit 1945, kur administrata amerikane mbështeti lëvizjen antikomuniste në Shqipëri, si dhe pas 1990, me mbështetjen e lëvizjes demokratike në Tiranë. Viti 1999 i dha miqësisë mes shqiptarëve dhe amerikanëve dimensionin e vërtetë rajonal, kur operacioni ushtarak i bombardimeve në Serbi u koordinua me njërin nga operacionet më të rëndësishme humanitare, me të cilin u ndal spastrimi etnik dhe u sigurua në Shqipërinë administrative jetesa e më shumë se 500 mijë shqiptarëve të Kosovës.
Por vizita e presidentit Klinton në Prishtinë nuk ka veç dimensionin e pakthyeshmërisë, por së pari ka mesazhin për të ardhmen. SHBA-të mbështetën fuqishëm anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO, po lobojnë për përshpejtimin e ritmeve të integrimit të saj në BE dhe dje në Prishtinë, ish-presidenti amerikan ka sjellë mbështetjen e administratës “Obama” edhe për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO e në BE. Presidenti Klinton ishte dje në Prishtinë për premtimin e intensifikimit të partneritetit mes shqiptarëve dhe SHBA-së dhe pritja madhështore që iu rezervua atij konfirmoi votëbesimin e të gjithë shqiptarëve për këtë kurs strategjik të marrëdhënieve mes shqiptarëve të Ballkanit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vizita e presidentit Klinton në Kosovë ishte e treta me radhë që prej përfundimit të luftës dhe e para që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›