FFK pret lajm të mirë nga FIFA
Në fakt, para disa ditëve presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, nëpërmjet një shkrese e ka njoftuar kreun e FFK-së, Fadil Vokrrin, se kërkesa e tyre do të jetë pjesë e agjendës së punimeve të Komitetit Ekzekutiv. Kjo i ka bërë drejtuesit e futbollit kosovar të besojnë se do të marrin një përgjigje pozitive nga Tokio rreth kërkesës së tyre.
“Nuk kemi informacion se a do të shqyrtohet kërkesa jonë në ditën e parë të punimeve apo në të dytën. Kërkesat e tilla zakonisht shqyrtohen në ditën e dytë. Fakti që kërkesën tonë e ka fut në agjendë njeriu i parë i FIFA-s, na bën optimistë se tani do ta marrim një përgjigje pozitive, edhe pse duhet kuptuar se nuk është e lehtë të bindet Komiteti Ekzekutiv ta aprovojë kërkesën tonë. Por, meqenëse Blatter e ka fut në agjendë çështjen tonë, ai thuajse ka konfirmuar se kërkesa jonë është legjitime”, ka deklaruar për Express, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.
Muaj më parë Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s e pat refuzuar këtë kërkesë, pas rekomandimit që kishte marrë nga UEFA.