E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes Tatës dhe Uratës

Analizë e rrëfimit “E madhe gjëma e mëkatit” e Mitrush Kutelit. I shndërruar në një rrëfimtar që vrojton, mban shënime e komenton atë që është tokësore te protagonisti i tij, dhe njëkohësisht duke na treguar ne lexuesve, se çfarë cilësish duhet të zotërojë qenia për t’u ngritur në të njëjtën lartësi me Zotin (sipas dogmës të fesë ortodokse), Kuteli nis të zbulojë hap pas hapi personazhin e Tat Tanushit te “E madhe gjëma e mëkatit”. Kemi të bëjmë me një rrëfimtar që bëhet “zëdhënës” i të vërtetave tokësore dhe nga ana tjetër na shtrëngon të njohim të vërtetën hyjnore

Mes Tatës dhe Uratës

Përfytyrimi i botës qiellore shfaqet gati i njëjtë për të gjithë vdekatarët. Pavarësisht se cilit besim i përkasim, imagjinata jonë ka krijuar shëmbëllesën e një hapësire ku gjithçka shfaqet e ndryshme, e madje në antitezë të plotë me hapësirat ku gjeneron jeta jonë. Gjithsecili prej nesh ka projektuar në kujtesë një dimension të katërt të asaj se ç’na pret në fund të udhëtimit tonë tokësor. “Toka” simbolizon përkohshmërinë e qenies njerëzore, ditët tona të numëruara mbi tokë, kalimtaren, ndërsa “qielli” bëhet simbol i atij dimensioni kohor e hapësinor ku gjithçka shfaqet e përsosur si vetë Hyjnia që e ka krijuar. Në letrën e parë ndaj Korintasve, Shën Pali shprehet se bota do të tejkalohet. Po ç’mbetet prej nesh pas këtij tejkalimi? A do të tejkalohemi edhe ne duke shkuar bashkë me tokën? Pikërisht për të mos shkuar nga pluhuri në pluhur, siç thuhet në Shkrimet e Shenjta, besimtarët kërkojnë të fitojnë “qytetarinë e tyre” në mbretërinë qiellore, përmes virtyteve dhe përsosjes së tyre morale e shpirtërore.

Rrugët që zgjedhin për të fituar jetën e përjetshme janë nga më të ndryshmet. Disa bëhen besimtarë dhe kërkojnë të bëjnë një jetë sa më larg mëkatit, disa të tjerë ndjejnë një thirrje të veçantë dhe bëhen predikues të fjalës.

I tillë është edhe protagonisti i këtij rrëfimi që i vendos ngjarjet në kohët e lashta ilirike, kur të vishje petkun e priftërisë nuk ishte sakrifica më e madhe që mund të bëje në emër të Zotit, pasi mund të merrje dhe rrugën e manastireve si oshënar, ose të shpellave si ashkëti, për t’u lutur atje për mëkatet e rënda të të gjithë botës.

I shndërruar në një rrëfimtar që vrojton, mban shënime e komenton atë që është tokësore të protagonisti i tij, dhe njëkohësisht duke na treguar ne lexuesve, se çfarë cilësish duhet të zotërojë qenia për t’u ngritur në të njëjtën lartësi me Zotin (sipas dogmës të fesë ortodokse), Kuteli nis të zbulojë hap pas hapi personazhin e Tat Tanushit tek “E madhe gjëma e mëkatit”. Kemi të bëjmë me një rrëfimtar që bëhet “zëdhënës” i të vërtetave tokësore dhe nga ana tjetër na shtrëngon të njohim të vërtetën hyjnore.

Ky rrëfimtar nis të projektojë në vetëdijen e lexuesit një personazh që i ruhet së tepërmi leqeve të mëkatit, që çast për çast - si shpresëtar i drejtë- lutej për faljen e mëkateve të kryera me dashje e pa dashje, e mbi të gjitha për fuqinë e tij më të madhe, besën ndaj Zotit. Në raportin mes Zotit dhe së shoqes, rrëfimtari shprehet se: “Gazi i dytë i Uratës - pas Tënëzotit ish Kalija-e shoqja”. Por komenti që po ky rrëfimtar bën në vijim për Tat Tanushin na projekton në gjykimin tonë si lexues, një largim të përshkallëzuar të Uratës-Tatë drejt Tatës-Uratë.

“Po në dyzet ditët e ndarjes për t’u bashkuar me Zotin me anë të hirit, Tat Tanushi pat ndjerë thellë, në mish e në frymë mungesën e së shoqes. Sepse mishi e shpirti i tij kërkonte Kalijen më fort nga çdo tjetër gjë”.

Kjo është e vërteta tokësore e Tatës “e justifikuar” edhe nga rrëfimtari, dhe e cilësuar si “gjëmë” prej tij, në detajin ligjërimor “lëçitësit mundet të mos i pëlqejë një gjëmë e tillë”.

Rrëfimtari merr kështu rolin e një komentuesi të maskuar, duke shpalosur dy kahe të ndryshme gjykimi: tokësor dhe hyjnor, por të parën e servir thjesht si një të vërtetë kah Tata tokësor, ndërsa të dytën nis ta përkrahë dukshëm për Uratën që nuk duhet të kthehet në Tatë. Por duket se shndërrimi sapo ka nisur dhe për këtë duhet të përqendrohemi pikë së pari tek simbolika e numrit dyzetë. Në Shkrimet e Shenjta shkruhet se Zoti i udhëhoqi izraelitët për dyzet vjet në shkretëtirë, me anë të të zgjedhurit të tij, Moisiut, dhe ata vazhdimisht patën prirjen, madje edhe mëkatuan shumë herë, duke shprehur mosbesim në momente të vështira, apo duke krijuar idhuj të rremë.

Tashmë duket se Urata ka nisur procesin e shndërrimit në Tatë, duke ngritur në mendjen e tij kultin e dashurisë tokësore, dhe duke e dalluar atë dukshëm prej Tënëzotit. Është krejt normale që Tata të ndjejë mungesën e Kalijes në mish, pasi ai është një qenie tokësore, i pajisur me dëshirat e tij fizike, por nuk është normale për një të vajosur, që ta ndjejë këtë mungesë edhe në frymë.

Një qenie si Tat Tanushi ndodhet në të tjera raporte me Zotin krahasuar me një vdekatar të zakonshëm, dhe për pasojë ai duhet t’i kishte orientuar më mirë ndjenjat e veta për të mos e ndjerë këtë ndarje edhe në frymë. Por duket se Tatës e ka lënë veten të zotërohet nga ndjenja për Kalijen, derisa mishi dhe shpirti i tij kërkonte të dashurën më fort se çdo gjë tjetër. Sipas Jungut, raporti ndjenjë-mendim ndjek një trajektore të tillë:

“Nëse unë kam një orientim ndaj një mendimi, atëherë nuk mundem që në të njëjtën kohë ta orientoj veten nga ndjenja, sepse mendimi dhe ndjenja janë dy funksione krejt të ndryshme. Më duhet të bëj kujdes të përjashtoj ndjenjën në qofte se dua t’u mbetem besnik ligjeve logjike të mendimit, në mënyrë që më pas procesi i mendimit të mos ç’rregullohet nga ndjenja”.

Nëse vetëdija e Uratës do të ishte orientuar kah hyjnorja, atëherë ai nuk do të mundej që në të njëjtën kohë ta orientonte veten edhe nga ndjenjat, sepse mendimi për Zotin dhe ndjenjat për të shtrenjtën e zemrës janë dy aspekte diametralisht të kundërta. Urata nuk ka treguar një forcë të tillë vullneti për të përjashtuar ndjenjat, në atë shkallë sa të zotërohej nga frymorja, dhe kjo e fundit të triumfonte ndaj tokësores.

Një gjë të tillë Urata nuk do të ketë vullnetin hyjnor ta bëjë asnjëherë, dhe kjo do të ketë si pasojë rrënjosjen e vullnetit tokësor në shpirtin dhe mendjen e tij. Në këtë kontekst një konotacion të veçantë merr detaji tjetër ligjërimor “dashuroheshin egërsisht”, ku dashuria merr trajtat e një pasioni të shfrenuar njerëzor, shumë larg konceptit hyjnor të dashurisë burrë-grua. Megjithatë qenia “më mëkatare” mes dy të dashuruarve vjen Tat Tanushi, pasi ai arrin të veçojë dukshëm të shtrenjtën e tij, duke i dhënë vendin e parë para Tënëzotit, gjë të cilën Kalija as që e koncepton dot, madje e qorton si prirje edhe tek Tat Tanushi.

Është frika nga Zoti ajo që e shtyn t’i tërheqë vëmendjen Tatës për fjalët e tij, dhe është mungesa e po kësaj frike që e bën Tatën të mos i kushtojë asfare rëndësi thirrjes së saj. Kalija ka etje të dëgjojë shprehje të zjarrta dashurie, por jo të arrijë gjer në atë pikë sa të pranojë të shndërrohet vetë në një objekt adhurimi për bashkëshortin e saj. Ajo mbetet përherë në hapësirat qiellore, me gjithë fuqinë e madhe me të cilën e do burrin e saj. Ndërsa Tata vetëm sa e viziton qiellin dhe kthimin në jetën tokësore mezi e pret, gjë që shfaqet në konceptimin e tij mbi vdekjen.

1. Aq shumë e desh Urata Kalijen sa trembej nga lumturia e tij dhe i lutej Tënëzotit mos ia shkruaj si mëkat

2. Dhe falej ditë e natë para ikonave të shenjta dhe digjte temja, vaj ulliri e dyllë blete për shëndetin e saj.

Na rrëfehet një qenie ku ndeshet ndërgjegjja e tij dhe dëshira për t’ju shmangur thirrjes së zërit të brendshëm. Urata (dhe jo Tata) di ta ndajë mjaft mirë atë që është mëkatare nga ajo që është e drejtë, por prirja e tij nuk shkon drejt kësaj të fundit, e për pasojë ai mëkaton. Vetë Urata duke e njohur këtë prirje të Tatës i lutet Zotit të mos ia shkruaj si mëkat. Në një farë mënyre, Tat Tanushi diç duket se kërkon të ndryshojë në gjykimin e Zotit, në lidhje me atë që cilësohet mëkatare.

Ai jo vetëm që guxon të mos ndjekë vetëm rrugën e tij, por me një ndjenjë këmbëngulje (ndonëse e maskuar në pamje të parë), kërkon që Zoti ta justifikojë për ato që ai përjeton, e madje kryen. Pra, ai jo thjesht justifikohet, por mendon se duhet të justifikohet. Është ky aspekti më delikat që e mpak vazhdimisht Uratën. Një mëkatar lutet për faljen e mëkateve të tij, por nuk është ai që “duhet t’i caktojë” Zotit çfarë duhet t’i peshohet si mëkat, e çfarë s’duhet t’i peshohet si e tillë; përndryshe i bie që qenia njerëzore të ketë marrë përsipër rolin e Hyjnisë, duke ndërhyrë në mënyrë jonormale në planet e Zotit.

Në Shkrimet e Shenjta, Zoti u drejtohet krijesave njerëzore me mesazhin se jeni ju që ecni, por jam unë Ai që drejtoj hapat tuaja.

Ajo që përpiqet të realizojë Tata-Uratë është t’i tregojë Zotit një mënyrë se si t’i drejtojë hapat e atij vetë, ose e thënë ndryshe “të bindë” Zotin, se ajo që është duke bërë të mos i shkruhet si mëkat.

Për një predikues të shkrimeve të shenjta kjo përbën një thyerje të ligjeve të Zotit, pasi qenia e projektuar si model përmbys vetë e para atë ligj që duhet t’jua predikojë qenieve të tjera, të cilat nuk janë në rrugën e Tij.

Shkruar është gjithashtu se atij që ka brenda vetes besim dhe kërkon më tepër, atij do t’i jepet, ndërsa atij që nuk mbart besim në fjalën e Zotit dhe nuk e kërkon atë do i merret edhe ajo që ka. Tat Tanushi nuk kërkon të ketë më tepër dhe është ky shkaku i tkurrjes së Uratës brenda tij. Në këtë pikëvështrim transformimi i tij në Tatë duket i pashmangshëm. Pasojat e këtij procesi shfaqen në perceptimin e tij mbi kohën.

Po t’i referohemi Blez Paskalit, njerëzit nuk kënaqen asnjëherë me të tashmen. Ata përshpejtojnë të ardhmen pasi vonon të vijë dhe thërrasin të shkuarën për ta ndalur. Në këtë mënyrë, ata përhumben ndër kohëra që nuk u përkasin. Kështu, shohim se Tat

Tanushi nuk mjaftohet asnjëherë me atë që ka. Ai vazhdimisht trembet për Kalijen, prandaj lutet ditë e natë për të. Duke qenë se dashuron çmendurisht, ai ka frikë mos e braktis kjo lumturi që po përjeton në të tashmen, ndaj dhe përpiqet ta shmangë të ardhmen.

Në fillim të rrëfimit, Kuteli vë në dukje se besa në Zotin është fuqia e madhe e Tat Tanushit. Po të ishte i vërtetë ky pohim, atëherë Tata nuk do të humbiste ndër kohëra, të cilat nuk i përkasin atij si qenie njerëzore (biblikisht e ardhmja i përket Zotit), por do të përjetonte të tashmen.

Meraku i tij për Kalijen nuk është i pavend, pasi ajo vuan nga një sëmundje që i thonë lëngjyer, por ky merak është i tepërt për një prift që ka besë në Zotin dhe me veshjen e petkut të priftërisë ia ka blatuar atij jetën në mënyrë të veçantë nga qeniet e tjera.

“T’i përballësh qeniet me realitetin e vdekjes, nuk do të thotë aspak ta kthesh vdekjen në një qëllim të kuptuar si asgjë e zbrazët, as te synosh t’i errësosh ditët e tyre me efektin e një vështrimi të fiksuar mbi vetë fundin”. Ndërkohë që Tata arrin t’i përjetojë të dyja këto gjendje. Gjersa frikësohet aq shumë për vdekjen e Kalijes, ai e ka harruar konceptin themelor të Zotit mbi vdekjen, se ajo është fundi i jetës tokësore dhe fillimi i jetës së përjetshme. Nga ana tjetër ai nuk duhet kurrsesi ta errësojë lumturinë e së tashmes me frikën dhe parandjenjën e asaj që do të vijë, pasi shkruar është se çdo dite i mjafton pikëllimi i vet dhe e nesërmja kujdeset vetë për veten.

Urata na paraqitet i verbër edhe në optikën e shikimit të tij karshi realitetit të vdekjes. Kur përshkruan pamjen që Kalija ka filluar të marrë pas sëmundjes, rrëfimtari nuk na ofron një portret të akullt dhe të pajetë, por thotë se ajo ishte e rrethuar nga një dritë e gjallë.

“Fytyra e saj vishej me një pah drite si drita e hënës mbi ujëra. Po drita e hënës është pa jetë, kurse drita që mbulonte fytyrën e Kalijes ishte e gjallë. Ajo kish po në atë kohë edhe bukurinë e të vdekurit edhe bukurinë e të gjallit”.

Si mund të flitet për bukuri të vdekuri? Si mund të rrethohet nga një dritë e gjallë një qenie, e cila pak nga pak po i lë lamtumirën botës së të gjallëve? Kufiri që vdekatarët vendosin mes jetës dhe vdekjes zhduket këtu krejtësisht, ndërsa raporti mes koncepteve jetë-gjallëri dhe vdekje-ftohtësi na vjen krejt i përmbysur në këtë përshkrim.

Rrëfimtar në kërkim të Hyjnisë, Kuteli, përpiqet të na mbushë mendjen ne si lexues për atë çka duhet të ndryshojmë në perceptimet tona mbi përtejbotën, e mbi të gjitha përpiqet t’i kthejë mendjen për këtë personazhit të tij “plangprishës”.

Drita e gjallë që rrezaton Kalija është rrezatim i dritës së Zotit dhe i asaj bote për të cilën ai e ka bjerrë kuptimin e saj të vërtetë, duke guxuar jo vetëm ta shmangë, por dhe të rebelohet fuqishëm kundër saj.

Zbulesa si moskuptim

Dy gjendjet në të cilat përkëmbehet “përjetësisht” përkohshmëria e qenies njerëzore, gjumi dhe jeta zgjuar, kanë qenë përherë objekt diskutimesh e studimesh që duket se s’do të kenë të reshtur, për sa i përket faktit se në ç’mënyrë ndikon njëra gjendje tek tjetra, si ndikojnë vetëdija dhe pavetëdija në formësimin e një ëndrre, si na paraqitet vetja jonë në ëndrrat që shohim, nga vijnë këto ëndrra që popullojnë mbretërinë tonë të gjumit etj.

Sipas Fromit, teksa rishqyrton tezat e Fromit dhe të Jungut, pra qoftë kur besojmë se ëndrrat përbëjnë përvojat reale ë shpirtrave tanë të çliruar nga trupi, qoftë kur mbështetemi në mendimin se ëndrrat frymëzohen nga Zoti ose nga shpirtrat të këqij, qoftë ato shihen si shprehje e pasioneve tona të paarsyeshme, ose në të kundërt, të aftësive tona më të larta dhe më morale, ka një ide që nuk kundërshtohet: të gjitha ëndrrat kanë një kuptim dhe një domethënie. Kanë një kuptim sepse ato përmbajnë një mesazh, i cili po të analizohet mund të kuptohet, kanë një domethënie sepse ëndrrat nuk shihen kot, edhe pse ato mund të shprehen me një gjuhë që nën një fasadë pa domethënie, shpreh përmbajtjen e mesazhit të transmetuar.

Pikërisht në një këndvështrim të tillë do të dekodifikohet edhe ëndrra e protagonistit të kësaj rrëfenje, e cila përmban çelësin interpretativ të krejt kuptimit të saj. Duke qenë se na serviret një personazh i mëdyshur mes dy veteve të tij; vetes frymore dhe asaj tokësore, ndërsa nga ana tjetër, ai është ngjizur prej një rrëfimtari që mbart mbi vete hirin hyjnor, dhe që na paraqitet pareshtur si një progresion i mendjes drejt absolutit, natyrshëm vijnë pyetjet:

A mund të përmbajë kjo ëndërr të mbramet shkëndija të Shpirtit të Shenjtë që Urata ka dërguar drejt Tatës për t’i shpërndarë këtij të fundit, mjegullnajën që ka nisur të bjerë nxitimthi mbi vështrimin e tij?

Apo të jetë një e ardhme profetike që rrëfimtari hyjnor ka projektuar në vetëdijen e krijesës së tij, si për t’i rrëfyer atë rrugë të drejtë që ai medoemos duhet të ndjekë për të mos u shembur greminave të mëkatit?

Të dyja kahet e depërtimit mund të gjejnë justifikimin e tyre në tekstin e Kutelit, por dyshimi i dytë duket se gjen aty më tepër terren për t’u vërtetuar. Tat Tanushi është ai personazh i Kutelit që i ngjan më shumë Jonës biblik, sepse ai e di mirë ç’rrugë duhet të ndjekë, e megjithatë i largohet me vetëdije të plotë kësaj rruge. Në këtë kontekst ëndrra e tij mund të interpretohet fare mirë si një intuitë introspektive që pushton papritur pavetëdijen e Uratës, në atë gjendje ku çdo qenieje njerëzore i zbulohet vetja e tij e vërtetë . Por fakti që Urata vazhdon t’i lutet Zotit si Tatë edhe pas “zgjimit”, na orienton ne si lexues ta largojmë vëmendjen nga ky interpretim, pasi një shkëndijë e tillë, po të kishte gjetur forcën të lindte te Urata, do të kishte mundur ta zgjonte sadopak shpirtërisht Tatën. Në vend të një intuite introspektive na mbetet ta dekodifikojmë këtë ëndërr si një Zbulesë që i jepet protagonistit tonë.

(Nga ana e teknikave narrative do ta etiketonim si një prolepsë, meqenëse diskursi hershon fakte të së ardhmes).

Mesazhi i kësaj Zbulese i jepet Tat Tanushit nëpërmjet dy kaheve të kundërta, por me pikëmbërritje një destinacion të vetëm: përjetësinë.

Shndërrimi real që po i ndodh protagonistit në jetën zgjuar nis të projektohet edhe këtu, por tashmë i kushtohet më tepër rëndësi pasojave që do të sjellë ky transformim shpirtëror sesa shkaqeve që kanë çuar drejt tij.

Figura e Krishtit jo vetëm e përforcon, por e bën absolutisht të padiskutueshme përkohshmërinë e qenies njerëzore.

Ai mospranim i heshtur e rebelues që protagonisti ynë i bën largimit nga kjo botë fiton në të kënduarat e Krishtit një konotacion akoma më të thellë.

Nëse në përjetimet e veta dashurore Tat Tanushi e koncepton vdekjen si tmerrin e humbjes së të shtrenjtës së tij, këtij nocioni i mvishet në zbulesë një kuptim gjithëpërfshirës e tepër universal. Vdekja shndërrohet këtu në simbol të asaj kambane, e cila nuk bie vetëm për Kalijen, por ka rënë e do të bjerë për të gjitha qeniet, në një kohë të caktuar si të tillë vetëm prej Zotit. Tingujt që Tata dëgjon për largimin e së shtrenjtës do të jenë po ata tinguj që herët a vonë do të improvizojnë edhe rekuiemin e tij.

Prandaj reflektimi i Uratës nuk duhet të fokusohet te një vdekje e parë në veçanti, se sa te vdekja në vetvete si alfa dhe omega e mbarë species njerëzore. Rrëfimtari hyjnor kërkon medoemos të qartësojë atë kuptim që Tat Tanushit i është dhënë që në zanafillën e tij si Uratë mbi thelbin e përkohshmërisë, por ai duke qenë përherë i prirë kah tokësorja duket se e ka bjerrë pa e rrokur dot kurrë në tërësinë e vet. Ideja se vdekja të bashkon me Hyjninë i paralajmërohet protagonistit me anën e dy shëmbëlltyrave të përkundërta të tij, si Uratë dhe si Tatë, duke u shndërruar njëherazi në lajtmotivin e krejt rrëfimit.

Shëmbëlltyra e parë është ajo e Uratës që e pranon vdekjen si një ligjësi hyjnore, e që ndjen dhimbje për të shtrenjtën e tij, aq sa duhet të ndjejë çdo vdekëtar, i cili e ka kuptuar kthjelltësisht thelbin hyjnor.

Pasi siç shkruhet edhe në Librin e Predikuesit, ka gjithmonë një kohë për të qeshur e një kohë për të qarë, një kohë për të mbjellë e një kohë për të korrur .

“Tat Tanushi ndjente helm e gas bashkë, helm për e së shoqes, gaz se vetë Krishti i këndonte asaj”.

Ndërsa shëmbëlltyra e dytë na jep një qenie në braktisje e sipër prej Frymës, e cila nuk mendon tjetër veç për ëmbëlsinë e jetës tokësore, dhe që për më tepër i trembet vetmisë të së ardhmes, të vetmes kohë që s’i është dhënë asnjë fuqi për ta ndryshuar, e s’i përket askurrë atij, por vetëm e vetëm Hyjnisë.

Në suazën e përjetimeve të tilla thjesht si Tatë, ngjizet dhe ideja e përkundërt, se tokësorja është përkohshmëria që mundet të na dhurojë veç vdekjen dhe vuajtjen, dhe si e tillë nuk ka pse të jetë kaq e lakmuar prej qenies.

Këtë mesazh e përforcon më tepër përshkrimi i fytyrës së Kalijes, përgjatë dy qëndrimeve të Tat Tanushit. Kur e pranon vdekjen si plan hyjnor, Kalija buzëqesh me buzëqeshjen e të lumturit, ndërsa me konceptimin e saj si “një fund”, e shtrenjta e zemrës nuk ish në krahët e tij veçse një skelet.

Po ashtu edhe “arkitektura” e kishës na jepet prej rrëfimtarit hyjnor në optikën e shndërrimeve të Uratës-Tatë në rastin e parë dhe Tatës–Uratë në të dytin.

“Tata ngriti kryet lart ndaj kupa e kishës, dhe ja se ku ajo ish plot dritë dhe ngrihej e ngrihej gjer sa u bë qiell”.

“Zëri i tij i egër u përpoq mur më mur dhe çau gjithë kandilet. Errësirë katrani. Befas kisha u ça në dysh, u hapën të thellat e tokës dhe Tat Tanushi u shemb përpjetë”.

Paralajmërimi i shembjes tokësore për shkak të rebelimit zbulohet në mospajtimin e Tatës me ligjësinë hyjnore. (Fiton këtu peshë cilësimi zë i egër). Krahas të ardhmes profetike të protagonistit, zbulohet edhe shfaqja e natyrës hyjnore në lidhje me njërin apo tjetrin qëndrim që Tat Tanushi do të mbajë kundrejt saj në jetën zgjuar.

Ndëshkimi hyjnor ndaj rebelimit dhe mëshira ndaj kujtdo që i bindet vullnetit të Zotit shndërrohen në dy domethëniet kryesore të vegimit të qenies, të cilat duke mos u kuptuar si duhet prej tij, e çojnë sërish protagonistin në formulimin e po të njëjtës lutje që ai ia drejtonte qiellit edhe para t’i jepej Zbulesa. Në këtë këndvështrim zgjimi i tij rezulton të jetë vetëm fizik dhe asfare një zgjim shpirtëror, sikundër pritej të ishte.

Mbas gjumit ai tenton sërishmi “ndërhyrjen” në planet kohore të Zotit, duke ruajtur të njëjtin vizion mbi vdekjen, çka e lë atë krejtësisht jashtë konceptit biblik se i vetmi pushtet mbi të është vetëm ai hyjnor. Lutja e tij “Merr vite nga vitet që më ke dhënë dhe jepja shërbëtores tënde Kali - që të përlëvdohet emri yt përjetë”, na tingëllon si një kusht që qenia i vendos Hyjnisë, dhe konfirmon shkëputjen e tij të plotë prej frymës së saj.

(Vijon nesër)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›