E Shtunë, 31 Tetor 2026

Është muzikë Trio Bravo+

Megjithëse është e vështirë të thuhet se çfarë muzike është e vështirë, nuk është të thuhet se muzika e tyre pëlqehet. Ajo luhet në koncerte, kompozohet për filma, shoqëron teatro ose inskenime të suksesshme. Ky është grupi i pagëzuar “Trio bravo +”, drejtuar nga pianisti Gjergj Radoja, i cili shoqërohet nga katër miq të tij, kuartet artistësh që bëjnë muzikë

Është muzikë Trio Bravo+

“Kemi fatin e madh të bëjmë atë muzikë që na pëlqen”, - thotë Gjergj Radoja pianist i grupit "Trio Bravo+". Evropës, ai i ka rënë kryq e tërthor. Fëmijë si violinist virtuoz, tani si pjesë e "Trios Bravo+". Gjergj Radoja është pianisti i trios, që në fakt është një kuartet artistësh që bëjnë muzikë. Çfarë muzike?

Dy muajt e fundit kanë qenë më të qeta për trion bravo+. Mbasi erdhën vërdallë nëpër botë, që nga nëntori i 2006-ës deri në qershor të 2008-ës, artistët janë shkuar nëpër shtëpi. Në mes të këtij muaji ata do të mblidhen sërish për të dhënë koncert në Jena. Giorgio, pianisti i grupit: "Tani nuk kemi shumë koncerte, këtë muaj janë vetëm katër, muajin tjetër kemi tre. Unë jam dy javë në Tiranë, pasi nuk kam qenë nja dy vjet atje dhe në shtator jemi në turne deri në fund të nëntorit."

Giorgio Radoja, është njëri nga katër artistët, që vijnë nga katër vende të ndryshme dhe "që kanë rrënjë evropianolindore", - shkruan kritika. Kurse për Giorgion shkruan se është me prejardhje multinacionale.

Çfarë është kjo prejardhja multinacionale?

"Ta tregoj unë historinë time. Unë kam ikur nga Shqipëria 10 ose 11 vjeç. Kam studiuar në Milano katër vjet, pastaj erdha në Gjermani. Këtu nuk e flisnin dot emrin tim dhe meqë unë vija nga Italia, dhe aty shkruhej Giorgio, dhe më quajtën edhe këtu Giorgio. Ka ardhur nga gazeta dhe revistat. Pjesa më e madhe nuk e kuptojnë që unë jam vetëm shqiptar, kujtojnë se jam italian, më ngatërrojnë dhe fusin aty multinacional. Në çdo intervistë unë them që kam studiuar në Itali, por nuk vij prej andej, unë kam lindur në Shqipëri. Vetëm se u duket më interesante këtyre këtu që të thonë se është multinacional sesa të thonë që është shqiptar", - thotë Gjergj Radoja.

E vështirë të shpjegohet çfarë muzike bëjmë ne

Pra, një nga karakteristikat e grupit është multinacionaliteti që në fakt ka të bëjë jo vetëm me prejardhjen e tyre, por edhe me muzikën. Gjergj Radoja: "Ne bëjmë muzikë, aty ka nja dy-tri pjesë që janë në mënyrë lindore, sepse ky violinisti është rus dhe çifut dhe ai ka futur disa motive të tilla, si dhe unë fus motive shqiptare, jo shumë folkloristike, por merret vesh kur luaj piano, dëgjohet si muzika jonë. Secili fut nga një pjesë të veçantë, edhe pse në mënyrë specifike ne nuk bëjmë muzikë folkloristike, kështu që e kemi shumë të vështirë që të shpjegojmë se çfarë muzike bëjmë ne".

Që prej shfaqjes në Gjermani të Bregoviçit, muzika evropianolindore këtu ka marrë atë ngjyrim dhe shpesh "marka muzikë evropianolindore" mbulon edhe muzikë kiç. "Gjermanët dhe gjithë të tjerët e quajnë muzikë evropianolindore, sepse ata nuk e krahasojnë dot me gjë tjetër. Ka kritika më të kultivuara, ku e krahasojnë me muzikë filmi ose me Yan Tiersen, ose me diçka të tillë si Philip Glass. Janë komponistë filmash që kanë muzikë skurrile, që nuk merret vesh që është etnike, është folkloristike, a është gjermane. Në këtë lloj muzike na fusin dhe ne".

“Trio bravo+” luan me instrumente klasike në mënyrë akustike, ata nuk përdorin vegla elektronike. Por muzika që ata bëjnë është pak e ndryshe nga ajo klasike. Si është?

"Është muzikë “trio bravo+”. Është shumë e vështirë për ta krahasuar, sepse në jemi katër veta, më mirë tre, se i katërti nuk kompozon, jemi tre veta që kemi fatin e madh të bëjmë atë muzikë që na pëlqen. Ne kompozojmë ato gjëra që na pëlqejnë, komplet, pa asnjë lloj barriere dhe shyqyr Zotit kjo muzikë u pëlqen edhe njerëzve. Së bashku, nëse ne na shikon së bashku, ne kemi markën tonë. Nuk ke si e krahason dot me diçka tjetër", - thotë Gjergj Radoja.

Megjithëse është e vështirë të thuhet se çfarë muzike është e vështirë, nuk është të thuhet se muzika e tyre pëlqehet. Ajo luhet në koncerte, kompozohet për filma, shoqëron teatro ose inskenime të suksesshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›