Mes ikjes nga pushteti dhe ikjes nga Evropa
Arrestimi i Ilir Metës dhe garantimi i lirisë së medias duket se janë dy kushtet e reja të forta që Bashkimi Evropian po i ofron politikës shqiptare në shkëmbim të marrjes së ftesës për tu bërë vend kandidat për anëtar i Bashkimit Evropian. Eurodeputetët që ishin pjesë e Komisionit Ndërparlamentar të Stabilizim- Asociimit kanë fokusuar vëmendjen e tyre tek dy probleme madhore për standardet e demokracisë në Shqipëri, tek pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë dhe mungesa e lirisë së medies në vend.
Disa prej eurodeputetëve e ilustruan shqetësimin thelbësor që ekziston për mosndëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë me gjyqin e degraduar ndaj ish- zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Edhe më parë Bashkimi Evropian ka kërkuar që drejtësia shqiptare të kërkojë ndihmën e Bashkimit Evropian për këtë gjyq përmes ekspertizës së specializuar, por gjyqësori në Tiranë ka injoruar këto thirrje. Duke ndjekur nga afër situatën në terren, eurodeputetët e kanë konsideruar këtë proces gjyqësor një ilustrim të mosndëshkimit të korrupsionit si dhe një kontroll të pushtetit mbi gjyqësorin. Eurodeputeti Viktor Boshtinaru tha se ai është tepër i politizuar dhe përmendi rastin e gjyqit ndaj Ilir Metës, ndërsa eurodeputetja Tanja Fajon theksoi çështjen e lirisë së medies dhe rrezikun e rikthimit të regjimit të vizave.
Për ti identifikuar të dy problemet publikisht, eurodeputetët, shkuan në një vizitë tek media më e madhe në vend, Top Channel, vizitë e cila identifikon të dy problemet. E para ajo është media që ka bërë publike videon e korrupsionit të Ilir Metës, dhe e dyta është një nga mediat që po e paguan shtrenjtë betejën e saj me pushtetin, pasi përveç kërcënimeve dhe shantazheve financiare, prishjes së zyrave dhe dhunës verbale ndaj tyre, po përballen dhe me një seri procesesh gjyqësore mafioze, të cilat synojnë ti mbyllin gojën gazetarëve. Të gjithë e kemi të freskët gjobën marramendëse ndaj tyre në favor të ish- ministrit Pango, akuzat verbale të kryeministrit për drejtuesin e emisionit Fiks fare, Filip Çakuli, paditë prej qindra- mijëra eurosh të Rezart Taçit ndaj gazetares Mimoza Dervishi dhe gazetës Shqip, si dhe përdorimin e gjyqtarëve të korruptuar për të dhënë vendime në favor të qeverisë siç ishte rasti i kontratës së prishur në mënyrë të njëanshme nga qeveria shqiptare lidhur me zyrat e reja që kjo kompani po ndërtonte tek ish-ekspozita Shqipëria Sot.
Kjo vizitë dhe fjalori i ri publik i eurodeputetëve në Tiranë, në të vërtetë forcoi zërat që filluan të ndiheshin muaj më parë nga Brukseli se Shqipëria ka nevojë të demonstrojë një gjyqësor të pavarur dhe të pakorruptuar, duke ofruar po ashtu ndihmën e tyre për gjyqin ndaj Ilir Metës.
Pas nënshkrimit nga opozita të paktit për të votuar ligjet konsensuale, qeveria shqiptare jo vetëm që ka mbetur e zbuluar para Evropës për kushtet që duhet të plotësojë, por po detyrohet si në rastin e Kroacisë të japë shembuj të ndëshkimit të zyrtarëve të lartë. Kroacisë iu desh të arrestonte kryeministrin që i kishte futur në NATO dhe Bashkimin Evropian, për një aferë që qeveritarët tanë e quajnë pare xhepi, dhe po nxjerr nga politika pasardhësen e tij të suksesshme për një aferë të paqartë lidhur me financimin e dikurshëm të fushatës së saj elektorale.
Kushtet e reja, që do të jenë gurë i rëndë në qafë të qeverisë, duket se janë arrestimi i Ilir Metës dhe liria e medies. Këto janë dy përgjigje të cilat qeveria shqiptare nuk ka fuqi ti japë kaq shpejt. Sali Berisha nuk është i gatshëm të dorëzojë Ilir Metën, jo pse i dhimbset, por se i rrëzohet qeveria dhe i demoralizohen strukturat e krimit që e mbajnë në pushtet. Ai po ashtu nuk është i gatshëm të garantojë një liri për medien, pasi ajo do të ishte fundi i pushtetit të tij.
Kur eurodeputetja më e dashur për shqiptarët, Tanja Fajon, avokatja e lëvizjes së lirë të shqiptarëve, thotë se në vend ka 1-2 medie të lira, në të vërtetë përveçse ka bërë një akuzë të madhe, ka vënë dhe një kusht tjetër të rëndë për qeverinë shqiptare në rrugën e saj drejt Brukselit. Ajo ka spostuar retorikën nga baltosja e opozitës, tek vetëvrasja e qeverisë. Nëse Sali Berisha do të dëgjojë seriozisht këshillat e Bashkimit Evropian, duke dorëzuar Ilir Metën dhe duke lënë medien e lirë, ai është i dënuar të ikë nga pushteti. Nëse nuk dëgjon Bashkimin Evropian, por mbron Ilir Metën dhe vazhdon betejën kundër medies së lirë, ai do të largohet nga Evropa. Dhe nëse ai mbahet në dilemën të ikë nga pushteti apo të ikë nga Evropa, ai me qejf zgjedh këtë të dytën.
