E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes vorbullës së futbollit

Edhe sikur të duash të dalësh diku tjetër, në një “breg” më të qetë, nuk të lë vorbulla e fuqishme e futbollit, që me shtjellat e saja plot të papritura të rrëmben e të zhyt nëpër thellësi të pafundme, siç ngjau sidomos gjatë kësaj jave. Ndeshje drithërimash e plot emocione për kupat europiane; short po kaq interesant i më të mirëve nëpër grupet përkatëse; shfaqje spektakolare kampionatesh nëpër vende të ndryshme; finale tërheqëse superkupash nëpër stadiume moderne e të mbushura dëng me spektatorë... Të gjitha këto ngrihen si një piedestal i lartë e madhështor, ndaj të cilit, kampionati ynë i futbollit, që nis këtë të shtunë, ngjan tepër i vockël dhe i parëndësishëm në pavlefshmërinë e tij, të kthyer kështu prej disa vitesh. Janë përpjekur për të dhënë më të mirën e tyre deri në mbrëmjen e kësaj të enjteje dy skuadrat tona pjesëmarrëse në kupat e Europës, duke arritur atë që askush më parë nuk kishte mundur ta bënte në futbollin tonë, por megjithatë, edhe Kukësi ashtu si edhe Skënderbeu i Korçës janë të vetëdijshëm për faktin se ata, si të tjerët në këtë vend, jetojnë në një tokë e klimë të njëjtë shqiptare, që duket gati e pamundur tani për tani të ndikojë për një zhvillim tjetër më të madh se ky i tanishmi. 
Ajo që shihet edhe në çastet e fundit të pragkampionatit të ri duket e pabesueshme dhe gati absurde për atë që medemek kërkojnë t’i ofrojnë publikut drejtuesit e futbollit tek ne, që si ca personazhe surealë të Orwellit kapardisen çuditshëm tribunave të stadiumeve të boshatisur dhe të katandisur në një gjendje katastrofike të tillë që u shkon për shtat interesave të tyre klienteliste. Nuk e di për çfarë mund të krekosen si gjelat majë plehut këta drejtues, që më shumë se për të sotmen mjerane të gjendjes që po kalojmë, shikojnë të ardhmen e tyre klanore e mafioze sipas proverbiales famëkeqe: Pas meje u bëftë qameti. Në këto kushte, nuk ka se si të rritet e të lulëzojë asgjë, përfshi edhe sportet, me futbollin që, kur qëllon ndonjëherë të arrijnë ndonjë sukses apo të nxjerrin kokën më lart se të tjerët, përdoret si rast i pastër spekulimi për të mashtruar opinionin sikur e gjithë kjo të ishte rrjedhojë e kujdesit dhe e përkushtimit të këtyre drejtuesve, që në fakt mjaftohen vetëm me përgëzime e dhënie dekoratash. Madje, teprimi në këtë fushë i tejkalon kufijtë, siç ndodhi këto ditë edhe me fitoren e Majlinda Kelmendit si kampione e botës në xhudo, që më shumë se vlerë e shtetit të saj të lirë e të pavarur të Kosovës, për të cilin ajo u shpreh se ndihet shumë krenare, këta drejtues-mashtrues të këtij vendi-katrahurë kërkojnë ta bëjnë sukses të tyrin, ashtu siç po ndodh në fakt me atë armatë të pafund futbollistësh kosovarë që mbushin të gjitha ekipet përfaqësuese të Shqipërisë, për çdo moshë e kategori!
 A mund të më thotë njeri se në cilin vend tjetër ndodh ajo që shihet tek ne, kur ditën e çeljes së kampionatit skuadrat pritëse detyrohen të luajnë nëpër fusha asnjanëse, larg syve të atij publiku fare të paktë që ende mbetet fanatik i këtij futbolli? Kjo ndodh me Teutën që, në vend të fushës së saj, ditën e parë të ndeshjes që duhej të ishte festive për qytetin e Durrësit, e çojnë të luajë në Kavajë, sepse stadiumi “Niko Dovana” na e paska gjetur pikërisht tani kohën e rikonstruksionit të tij!? Kështu ngjet edhe në kategoritë e tjera, të ashtuquajtura inferiore, si p.sh. me Apolloninë e Fierit, që gjithashtu për shkak të rikonstruksionit të stadiumit të vet do të detyrohet ta nisë e ta vazhdojë kampionatin jashtë qytetit të saj, kushedi edhe për sa kohë!? Por ka edhe më keq. Ndonjë skuadre si ajo e Kamzës, deri dje në “elitën” e futbollit tonë, ia kanë mbyllur prej kohësh dyert e stadiumit të saj, sepse kështu ia dashka qejfi kryetarit të bashkisë së qytetit! Sa e sa gjëra të tjera të këtij lloji, të denja vetëm për absurditete të Librit Ginness, ka këtu në këtë botën tonë të vogël, varfanjake, të pakulturë dhe mbi të gjitha të pandershme, që i shohim e i prekim për çdo ditë, por që na shfaqen edhe më paturpësisht në këtë prag sezoni futbollistik, që edhe kështu përurues, duket i dështuar që në fillim. Shihni çfarë bëhet me skuadrën më me traditë dhe më të suksesshme të këtij vendi, Tiranën, 24 herë kampione, që deri një ditë para nisjes së kampionatit nuk i del asnjeri për zot, sepse në këtë vend ku ligjet janë të pafuqishme e nuk zbatohen për të gjithë, edhe futbolli i tillë do të mbetet, kaotik e i pashpresë. Ashtu siç duket në paraqitjen e tij mjerane edhe Tv publik, servil i pacipë ndaj pushteteve, që edhe transmetimin e një ndeshjeje futbolli ta neverit deri në përbuzje, siç ngjau edhe mbrëmjen e kësaj të enjteje, mbushur me idiotësira të pafund, ku, në vend të komentit të lojës e protagonistëve të saj, përmendeshin vetëm emra deputetësh, ministrash e kameramanësh të pranishëm në stadium!?...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›