E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi dhuron spektakël me 3 gola, fiton Barcelona

Lionel Mesi rikthehet me gola dhe kësaj radhe me një tripletë, që i kanë dhënë fitoren e radhës Barcelonës. “Pleshti” ka shënuar njëri pas tjetrit 3 gola në portën e Valencias, ndeshje që është luajtur në transfertë për Barcelonën. Më pas Valencia ka ngushtuar diferencën e golave në 2-3, por pa mundur dot të gjejë golin e barazimit. Të pestë golat e ndeshjes janë shënuar në pjesën e parë. Mesi kishte shënuar edhe 2 gola në ndeshjen e parë të sezonit kundër Levantes dhe tani udhëheq renditjen e golashënuesve më të mirë të sezonit me 5 gola. Kujtojmë që në ndeshjen e dytë ai nuk u aktivizua për 90 minuta, por vetëm pjesën e parë. Po ashtu edhe në ndeshjen e parë ai u zëvendësua. Gjithsesi, ai me shifrat është në rregull, pasi 5 gola në 3 ndeshje janë një mesatare shumë e mirë. Kundër Valencias, Mesi dhe Nejmar kanë luajtur së bashku në sulm.
Tri ndeshje, tri fitore, ky është bilanci startues i Karlo Ançelotit në La Liga me Realin e tij. “Los Blancos” kanë triumfuar bindshëm në javën e tretë të kampionatit spanjoll, ndërkohë që është zhbllokuar edhe Kristiano Ronaldo. Po ashtu, ia vlen të evidentohet talenti Isko, ardhur nga Malaga, që shënon rregullisht. Ndaj Atletiko Bilbaos ai ka realizuar një dopietë dhe, së bashku me golin e portugezit, kanë sigluar fitoren 3-1 të “galaktikëve”. Kësisoji, Reali ngjitet në kuotën 9 pikëve.
(Eduard.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›