Mesazh bashkëjetese fetare, kryepiskopi Joani uron për Kurban Bajramin

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani, vizitoi të premten selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Kjo vizitë është një dëshmi e fortë e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare që karakterizon vendin tonë.
Në Komunitetin Mysliman, Fortlumturia e Tij u prit nga kryetari, Bujar Spahiu, ndërsa më pas takoi Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në urimin e tij, Kryepiskopi Joani theksoi rëndësinë e bashkimit dhe mbështetjes së ndërsjellë, veçanërisht në kohë sfidash.
“Jemi si gjithnjë bashkë, si në gëzime ashtu edhe në të gjitha vështirësitë,” tha ai.
“Harmonia fetare është një thesar shumë i madh për vendin tonë, të cilën duhet të përpiqemi ta ruajmë gjithnjë, për të dëshmuar se është e mundur të jetojmë së bashku, edhe kur kemi besime të ndryshme.”
Ky mesazh vjen në një moment kur Shqipëria shquhet për tolerancën dhe bashkëpunimin ndërfetar, duke shërbyer si një model frymëzues për rajonin dhe më gjerë.
/rtsh.al/