Revolucioni digjital në Shqipëri, një projektligj i ri për identitetin elektronik, identifikimin në distancë dhe shërbimet e besuara

Qeveria shqiptare po ndërmerr një hap thelbësor drejt transformimit digjital me propozimin e një projektligji të ri, “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”. Ky akt normativ synon të krijojë një kuadër ligjor të plotë dhe të unifikuar, duke garantuar siguri, integritet dhe besueshmëri në të gjitha transaksionet elektronike, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Drafti i ri i ligjit vjen si një përgjigje ndaj nevojës së standardizimit dhe sigurisë në epokën digjitale, duke adresuar mungesat e kuadrit ligjor aktual, të cilat kanë transpozuar vetëm pjesërisht rregulloren evropiane eIDAS. Projektligji i ri synon përafrimin e plotë me rregulloret eIDAS1 dhe eIDAS2 të Bashkimit Evropian, duke përmbushur një nga kushtet thelbësore për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Qëllimi dhe Objektivat Kryesore
Qëllimi kryesor i projektligjit, i cili tashmë ka kaluar edhe për konsultimipublik deri më 30/06/2025, është të vendosë një bazë solide ligjore për identifikimin elektronik të sigurt, ofrimin e shërbimeve të besuara dhe krijimin e portofolit të identitetit digjital. Kjo do të sjellë lehtësi dhe shpejtësi më të madhe në aksesin e qytetarëve, bizneseve dhe administratës publike në shërbimet online.
Objektivat specifike përfshijnë:
- Krijimi i një kuadri ligjor të plotë: Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, duke siguruar njohjen reciproke dhe ndërveprueshmërinë.
- Rritja e sigurisë për transaksionet elektronike: Duke ofruar një bazë të përbashkët për bashkëveprim të sigurt midis të gjithë palëve.
- Ndërtimi dhe funksionimi i Portofolit të Identitetit Digjital: Një mjet i qëndrueshëm dhe i besueshëm për menaxhimin e identitetit digjital personal.
- Përafrimi me standardet evropiane: Përmbushja e kërkesave të rregulloreve eIDAS1 dhe eIDAS2 të BE-së.
Përparësitë dhe Problematikat
Projektligji sjell përparësi thelbësore, duke përfshirë:
- Identifikimi në distancë: Përcakton metoda të reja për identifikimin e aplikuesve në distancë, duke reduktuar burokracinë.
- Rritja e sigurisë dhe besueshmërisë: Për ofruesit e kualifikuar të shërbimeve të besuara (OKSHB), duke detyruar zbatimin e standardeve më të përparuara të sigurisë.
- Zgjerimi i fushës së veprimit: Rregullon si ofruesit e kualifikuar, ashtu edhe ata jo të kualifikuar të shërbimeve të besuara.
- Portofoli i Identitetit Digjital: Do t’i ofrojë çdo qytetari një mjet të sigurt, të kontrolluar dhe të centralizuar për menaxhimin e identitetit digjital, duke ruajtur privatësinë dhe thjeshtuar aksesin në shërbime.
- Lista e Besuar dhe Standarde të Reja: Do të prezantojë listën e besuar të ofruesve të kualifikuar dhe të pajisjeve të certifikuara, si dhe do të rregullojë ruajtjen afatgjatë të informacionit dhe vlefshmërinë ligjore të nënshkrimeve dhe vulave elektronike.
- Zgjerimi i shërbimeve të besuara: Përfshin shërbime të reja si ruajtja e kualifikuar e nënshkrimeve/vulave, vërtetimi i vlefshmërisë, arkivimi elektronik dhe vërtetimi elektronik i atributeve.
“Megjithatë, zbatimi i këtij projektligji shoqërohet edhe me problematika të rëndësishme. Investime të konsiderueshme: Zhvillimi dhe certifikimi i portofolit të identitetit digjital, si dhe zbatimi i përgjithshëm i ligjit, kërkon kapacitete të konsiderueshme teknike dhe burime financiare adekuate. Kjo përfshin investime në infrastrukturë dhe trajnimin e aktorëve.”, thuhet në relacionin shoqërues.
Efektet e Pritshme dhe Implikimet Financiare
Ky projektligj pritet të ketë efekte pozitive të konsiderueshme:
- Rritja e besimit digjital: Vendosja e një kuadri të qartë dhe të standardizuar do të rrisë besimin e qytetarëve dhe bizneseve në përdorimin e shërbimeve digjitale.
- Akses i thjeshtuar në shërbime: Portofoli i identitetit digjital do të mundësojë akses të sigurt, të unifikuar dhe të ndërveprueshëm në shërbimet online, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
- Përshpejtimi i procedurave: Përdorimi i shërbimeve të besuara do të përshpejtojë procedurat administrative, do të reduktojë ndërveprimet fizike dhe do të rrisë transparencën.
Në aspektin financiar, projektligji sjell efekte negative për Buxhetin e Shtetit në fillim, për shkak të investimeve të domosdoshme në teknologji dhe kapacitete, sidomos nëse Portofoli i Identitetit Digjital menaxhohet nga një subjekt shtetëror. Megjithatë, pritet që në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, të gjenerohen të ardhura nga tarifat për regjistrimin e ofruesve të shërbimeve të besuara, duke kompensuar pjesërisht kostot dhe duke krijuar një ndikim financiar pozitiv. Një analizë e plotë e ndikimit financiar është përfshirë në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit (RIA) që shoqëron projektligjin.
Zbatimi dhe Përgjegjësitë
Për zbatimin e këtij ligji ngarkohen Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, të gjitha organet publike, Ofruesit e Kualifikuar dhe jo të Kualifikuar të Shërbimeve të Besuara, Organet e Vlerësimit të Konformitetit, si dhe institucioni përgjegjës për akreditimin në Republikën e Shqipërisë. Projektligji është hartuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
/rtsh.al/