E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezatimi ilegal

Qytetarët e Kosovës shpenzojnë qindra euro duke kryer shërbime mjekësore të rentgenëvë dhe CT në klinikat private.

Përveç kësaj, kur pacientët kosovarë bëjnë ndonjë CT, atyre nuk u garantohet siguria në rastet kur mund të jenë të rrezikuar nga përdorimi i rrezeve jonizuese dhe jo jonizuese.
Shumica e klinikave private në vend që kryejnë shërbime te rëntgenëve dhe CT punojnë në të zezë.

Por, për mungesën e legjislacionit që rregullon licencat dhe kushtet që duhet të plotësojnë klinikat private që kryejnë këto shërbime, pronarët e klinikave nuk kanë asnjë faj.
Ata vazhdojnë të kryejnë në klinikat e tyre private shërbimet e rëntgenit dhe CT në mungesë të ligjit që rregullon këtë çështje.

I gjithë faji që rregullon këtë sektor është në zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët tash e dy – tri vjet nuk kanë bërë as hapin më të vogël në nxjerrjen e ligjit që do të përcaktonte kriteret për marrjen e lejes së punës për këto klinika.

“Të gjitha institucionet private shëndetësore, që për shërbime shëndetësore përdorin rrezet jonizuese dhe jo jonizuese, nuk kanë licencë për ushtrim të veprimtarisë”, thotë një burim nga Ministria e Shëndetësisë.
Por, përderisa nuk ka ligj që rregullon këtë sektor, Ministria e Shëndetësisë ka një marrëveshje me Institutin e Mjekësisë së Punës së Obiliqit për matjet e rrezatimit në klinikat private.

E edhe këtë rast zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë përzgjedhur një institucion të pavarur për matjen e rrezatimit, i cili nuk është i licencuar e as akredituar jo vetëm për të bërë matjet e rrezatimit, por as për ushtrim të veprimtarisë.

“Marrëveshja me këtë institucion është krejtësisht jashtë ligjore, meqë Instituti në Obiliq nuk është i licencuar për ushtrim të veprimtarisë e lëre të bëjë matjen e rrezatimit”, thotë një burim i informuar mirë nga Ministria e Shëndetësisë.

Mjeku Nagip Elshani, i cili ka një ordinancë private ku kryen shërbime shëndetësore me përdorimin e rrezeve jonizuese dhe jo jonizuese, ka treguar për Express se ka tri vjet që ka aplikuar për marrjen e licencës për ushtrimin e veprimtarisë. Ai thotë se në mungesë të ligjit ende është duke pritur përderisa vazhdon veprimtarinë e tij.

“Para dy vjet e gjysmë kam aplikuar për licencë. Në atë kohë na kanë thënë se kemi aplikuar, por nuk ka pasur ligj për këtë dhe nuk kanë mundur të na pajisin me licencë”, rrëfen ai.

Herën e fundit kur ky mjek ka qenë për t`u interesuar në lidhje me këtë një muaj më herët në MSh i kanë thënë se tashmë ligji është aprovuar dhe se një të ardhme të afërt ai mund të pajisjet me licencë në rast se plotëson kushtet e kërkuara.

“Para një muaji na kanë njoftuar që ligji është aprovuar dhe mund të aplikojmë. Kemi aplikuar, i kemi kryer të gjitha procedurat, janë bërë matjet e rrezatimit, tash veç po presim të na njoftomë për dhënie të licencës. Ne nuk jemi fajtor sepse nuk ka pasur ligj”, thotë Elshani.

Sipas Elshanit, kushtet që duhet të plotësojë një klinikë private për marrjen e licencës janë të shumta.

“Me udhëzim administrativ duhet të jetë kuadratura për secilin aparat veç e veç, zyra e punës, pjesa e cila mbron nga rrezet si dhe shumë kushtet të tjera”, thotë ai.
Ai thotë se pjesë e inspektimit nga Instituti i Mjekësisë së Punës ka qenë edhe ordinanca e tij.

“Ata kanë qenë, i kanë bërë matjet, i kanë bërë do vërejtje i kemi korrigjuar, kanë ardh për së dyti dhe gjithçka është konstatuar në rregull”, thotë mjeku Nagip Elshani.

Mirëpo, sipas zyrtarëve të MSH, që nga viti 2010 kjo ministri ka filluar dhënien e licencave për Institucionet Private Shëndetësore.
Faik Hoti, zyrtar për media, ka thënë për Express se MSh ka filluar zbatimin e udhëzimit administrativ numër 03/2007 që rregullon këtë çështje. “Ky aktivitete ka filluar nga fillimi i vitit 2010 dhe deri tani nga ana e Bordit për licencimin e IPSh janë licencuar 12 Institucione Private Shëndetësore”, thotë Hoti.

Sipas tij, licencimi është bërë konform ligjit për veprimtari private shëndetësore dhe udhëzimit 03/2007.

“Vlerësimin e kushteve tekniko-profesionale e bënë Instituti i Mjekësisë së Punës, ndërsa Bordi për licencimin e IPSh e bën vlerësimin final si dhe lëshon licencë për këto institucione që kanë aplikuar paraprakisht dhe që kanë përmbushur kushtet tekniko-profesionale”, sqaron Faik Hoti.

Por, përderisa vetëm me një udhëzim administrativ e i cili ka filluar të aplikohet në fillim të këtij viti për licencimin e institucioneve private që shërbejnë edhe rëntgenin dhe CT, Inspektorati Shëndetësor i Kosovës nuk ka gjobitur asnjë prej atyre klinikave.

Zef Komani thotë për Express se këtë nuk e ka bërë institucioni që ai udhëheq, duke sqaruar se për licencimin e IPSH ka mungesa ligjore.

“Inspektorati Shëndetësor gjerë tani nuk ka dënuar askënd sepse nuk ka ekzistuar infrastruktura ligjore për këtë çështje për shkak të vonesave të Ministrisë. Tani kemi filluar të inspektojmë jo me qëllim të dënimit, por të edukimit të personelit për pajisje për licencë. Së shpejti besojmë që javën tjetër që do të fillojmë edhe me dënime për të gjithë ata që nuk e respektojnë ligjin”, thotë Komani.
Udhëzimi administrativ 03/2007 është nxjerr në kohën e ish ministrit të kaluar të Shëndetësisë Sadik Idriz dhe prej asaj kohe nuk është bërë asgjë në nxjerrjen e ligjit për licencimin e klinikave private që merren me shërbimet e rrezeve jonizuese dhe jo jonizuese.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›