E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazhet e Clinton dhe Ashton vlerësohen si fuqizim i shtetit të Kosovës

Mesazhi që përçuan Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dhe shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, nga subjektet politike parlamentare në Kosovë vlerësohet si një fuqizim i shtetit të Kosovës, karshi Serbisë, një forcim i subjektivitetit shtetëror dhe një garancë se nuk do të ketë cenim të kufijve të vendit. Nga ana tjetër, vetëm Lëvizja Vetëvendosje, e konsideron si një trysni amerikane dhe evropiane për Kosovën dhe Serbinë, e që sipas saj, është në dëm të të dy vendeve.

Vetë vizita e sekretares Clinton dhe baroneshës Ashton, vlerësohet nga subjektet politike si një mesazh i rëndësishëm për shtetin e Kosovës. Ndërsa përmendja e vijave të kuqe, shihet si një forcim edhe më i madh i pozicionit të Republikës së Kosovës në dialogun e pritshëm politik me Serbinë. Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, konsideron se pas kësaj vizite, Kosova është shumë më e fuqishme.

“Pozicioni i Kosovës do të jetë shumë më i fuqishëm edhe pas kësaj vizite, por jemi të sigurt se me përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së, Kosova do të ecë shumë shpejt drejt synimeve të veta për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane”, tha Grabovci, për Radio Kosovën.

Edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, mesazhet e Clintonit dhe Ashtonit kanë rëndësi të madhe. Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija, thotë se fuqia e këtyre dy diplomateve, është një ndihmë që Kosova të avancojë përpara.

“Presim që pikërisht fuqia të cilën e kanë sjellë këto dy zonja të ndihmojë që Kosova me të vërtetë jo vetëm t’i ruaj të gjitha ato që i ka arritur deri tash, por që të kalojë në një fazë më të avansuar ku do të përfitojë”, tha Sahatqija.

Kurse, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi vlerëson lart mesazhin e qartë që nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë cenim të integritetit territorial dhe nuk do të ketë dialog për çështje të brendshme.

“Të gjitha dilemat janë hequr, sepse zonja Clinton e ka theksuar qartë nivelin shtetëror të Kosovës, i cili është i pacënueshëm dhe i padiskutueshëm. Prandaj liderët institucionalë të Kosovës duhet t’iu përmbahen parimeve të përcaktuara”, tha Isufi.

Por, një qëndrim tjetër ka Lëvizja Vetëvendosje. Nënkryetari i saj, Shpend Ahmeti tha se gjithmonë ka rëndësi vizita e diplomatëve të nivelit të lartë, por ai nuk e quan këtë një vizitë që bën diçka të re në marrëdhëniet që ka Kosova me Serbinë, me BE-në, apo me SHBA-të.

Sipas Ahmetit, kjo është më shumë një trysni tek Prishtina dhe Beogradi, ndërsa dialogun e pritur e konsideron më shumë agjendë personale të baroneshës Ashton.

“Edhe njëherë e theksoj, më shumë një prioritet i Bashkimit Evropian, më shumë një agjendë personale, sepse suksesi i ledy Ashton po varet nga suksesi i këtyre negociatave, mirëpo po e them në dëm të demokracisë në Kosovë dhe Serbi. Ne mendojmë se së pari këto dy shtete duhet të normalizohen brenda vetes, në mënyrë që t’i normalizojnë marrëdhëniet”, tha Ahmeti.

Clinton dhe Ashton e kanë bërë të qartë edhe në Prishtinë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i domosdoshë. Ditë më parë edhe Kuvendi i Kosovës i ka dhënë mbështetje dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmes një rezolute, të cilën e kanë mbështetur edhe partitë opozitare LDK e AAK, por jo edhe Lëvizja Vetëvendosje. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›