Thaçi takon parlamentarët evropianë

Pas takimit nuk ka pasur deklarime për gazetarë.
Sipas një komunikate për media, kryeministri Thaçi ka falënderuar institucionet e BE-së për bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë e Kosovës dhe mbështetjen që po i japin Kosovës në procesin e integrimit.
“Kryeministri Thaçi ka premtuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të përmbush të gjitha obligimet ndaj BE-së dhe se bashkëpunimi me mekanizmat BE-së është një ndër prioritetet e larta të saj”, thuhet në komunikatë.
Në takim thuhet se kryeministri Thaçi ka vlerësuar situatën e sigurisë stabile dhe të qëndrueshme dhe se institucionet e sigurisë janë të përkushtuara për të siguruar mirëqenien dhe lirinë e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.
“Qeveria e Kosovës është e angazhuar të zbatojë strategjinë e saj për pjesën e veriut të Kosovës, që ka për qëllim të sigurojë zbatimin e rendit dhe ligjit dhe fillimin e investimeve socio-ekonomike edhe në këtë pjesë të vendit”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Në takim, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian i kanë dhënë mbështetje procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, proces ky që ndërlidhet me përmbushjen e standardeve të integrimit të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.