E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhet e krizës që vijnë nga qytetarët

Përditë e më shumë po përballemi me krizën ekonomik që ka mbuluar vendin, me rritjen e çmimeve, me vonesën e pagave, me ndërprerjet e energjisë, pensionet e invalidëve, rënien e konsumit familjar. Të gjitha këto po e çojnë ekonominë në një greminë të madhe e ku do të duhej një plan Marshall për të na shpëtuar nga kjo katastrofë e paralajmëruar Në retrospektivë mund të kthehemi në dimrin e vitit 1949, situata e të cilit përshkruhet në filmin “Përballimi”. Ndonëse atëherë shteti e kishte fare të thjeshtë të gjente shkaktarët e asaj zie buke, duke ia faturuar mungesën e grurit kulakëve, të cilët gjasme fshihnin grurin dhe mbanin peng bukën e popullit. Ndërsa sot është e vështirë të gjesh fajtorë, është e vështirë të gjesh kulak, sepse opozita nuk ka as toka, se ato i kanë marrë njerëz të afërt me qeverinë dhe se sot në Shqipëri tokat kanë mbetur djerrë dhe rrallë të ndodh të shohësh të mbillet grurë. Në pamundësi për të gjetur “grurin” në hambarët e opozitës, kjo qeveri turret drejt mullarëve të CEZ, duke gërhitur me të madhe për shkelje kontratash, lista borxhesh e kur ndërkohë vetë kjo kon tratë nga ana e saj me CEZ-in ishte një dështim i parashikuar me kohë. Tashmë e tmerruar ajo e kërkon zgjidhjen në xhepat e qytetarëve, duke vonuar me ditë të tëra pagat e administratës, duke rritur taksat, duke futur duart në buxhetet e bashkive, duke shitur ç’të mundë nga asetet publike dhe duke shkuar akoma më tej, me mbajtjen e pensioneve të invalidëve për të mbajtur me paterica buxhetin e saj. Zëri qytetar ende nuk po dëgjohet hapur, por ndoshta reagimi i tyre po fillon e po ndjehet. Kjo shihet qartë në tregues të ndryshëm ekonomikë, siç është kriza që ka prekur tregun e pakicës si një nga treguesit e qartë të konsumit familjar, rritja e korrupsionit, rritja e papunësisë, shtimi i kriminalitetit. Në një farë mënyre ky është një alarm i fortë qytetar për këtë qeveri, që duhet të kuptoj se kriza ekonomike po i shkund përditë e më shumë xhepat e qytetarëve, po shkund buxhetet e bashkive, po rrit papunësinë dhe po tremb investimet. Sa më shumë kalon ky dimër, aq më i vështirë duket përballimi i kësaj situate nga ana e qeverisë, duke pritur muaj akoma më të vështirë për vendin.

Klajdi Myzaferaj/ Qytetar, Vlorë/


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›