Premisa të fundamentalizmit islamik
Albana Xharra
-Për gjashtë muaj me radhë kam “bashkëjetuar” me ta, kam përcjellë ligjëratat në xhami, kam vizituar rajonet e varfra të Kosovës. Kam dashur të shoh në terren se çfarë po ndodh, kush janë prijësit e tyre, çfarë thirrje bëjnë, si organizohen dhe si financohen. Dallimet janë të mëdha, derisa në Kosovë dëgjon ligjërata ku përdoret gjuhë fyese, nëpër tubime të caktuara dëgjohen hoxhallarë me fjalor tmerrues, në xhaminë më të madhe në Londër, kleriku flet për tolerancën fetare dhe për faljen që duhet bërë atyre që janë kundër islamit. Ndalimi i mbulesës nëpër shkolla publike është duke revoltuar me të madhe grupe të caktuara myslimane, ata nuk janë pak, shumë lehtë me mijëra prej tyre mund të mbushin rrugët. Në të njëjtën kohë me miliona euro hyjnë nga shtete arabe dhe nuk dihet se ku përfundojnë, apo kush po përfiton në emër të fesë? Meqë “investimet” bëhen mbi bazat e besueshmërisë vëllazërore, nuk ka dokumente se ku shkojnë ato para. Lista e gjatë e organizata që funksionojnë nën petkun e ndihmave, për më shumë se dhjetë vjet kanë zënë vend në pjesët më të varfra të Kosovës. Të hutuar nga zhvillimet ditore politike, pakënaqësitë ndaj pushtetit janë terren perfekt që ekstremi fetar të manipulojë shumë më lehtë me ekstremin social. Mund të mashtrohemi nëse themi se Kosovë ka pak të atillë, numri i tyre është duke u rritur me të madhe, ndërkohë që fatkeqësisht shumë prej tyre janë duke u manipuluar nga interesat e grupeve të caktuara që thirren në emër të fesë. Më ka habitur fakti se më i kritikuari për përhapjen e ideologjisë ekstreme fetare imami i xhamisë kryesore në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, është treguar shumë më i hapur sesa kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava. Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) vazhdon të mbetet perandori në vete e cila ka tubuar rreth vetes disa zyrtarë që më shumë bëjnë politikë për interesa të veta sesa që merren më çështjet dhe rregullimin e problemeve fetare. Ata nuk bëjnë publike donacionet, shkarkojnë e emërojnë imam si t’u dojë qejfi, nëse dikush nuk u shkon përshtat e largojnë pa problem, duke krijuar kështu përçarje brenda vetë komunitetit të tyre. Kanë ndodhur edhe rrahjet e hoxhallarëve, në rrugë, brenda xhamisë, bile edhe u është djegur vetura, vetëm pse kanë shprehur haptazi kundërshtimet e tyre ndaj prezencës së rrymave radikale, apo zyrtarëve të BIK-ut. Këto janë sinjale të qarta se ku mund të çojnë rrymat brenda vetë komunitetit islam. Ndonëse nuk ka ende sinjale që Kosova është e rrezikuar nga ekstremizmi apo terrorizimi, një është e sigurt, fanatikët priren ta përshkruajnë vetveten si mbrojtës të besimit që i kundërvihen imponimit të sekularizmit “perëndimor” mbi Kosovë.
Marrë nga Zëri.info