Mesazhet librore të një ekspozite
E vendosur në një aneks të Bibliotekës Kombëtare, ekspozita e veçantë me një titull shumë intrigues “Elegancë-Luftë 1944” duket se është një intrigë dhe risi artistike më vete në këtë kohë rrokopujë kutish, politikëbërëse kolektive, protestash, stresesh, libromanie të tejskajshme... Ndoshta për ta thënë që në fillim është një lloj Sozie e Kohës kur po jetojmë. Në pamje të parë tek i sheh ashtu pranë e pranë librat e shkruar, posterat, reklamat, pikturat, grafikët, fjalorët, të botuar e në dorëshkrime, që kanë qarkulluar në mjediset letrare shqiptare në vitin 1944 sheh një pjesë të vërtetë ose me thënë më mirë tejet realiste njerëzore të asaj kohe. Janë libra që në të njëjtën kohë fare natyrshëm, ashtu si është jo vetëm jeta njerëzore e një njeriu, qoftë edhe anonim, por edhe e një kombi, shprehin një psikologji sociale më vete. Ca gjëmime lufte. Ca plumba që gati sikur i ndjen në atë sallë metropolitane tek përshkojnë trupa njerëzorë, kryesisht të rinjsh, në sfond të bardhë librorë sheh edhe diktatorë që, për çudi, shpallen edhe heronj të lavdishëm të kombeve të tyre, si ndodh me Hitlerin. Kthen sytë nga fabrika që prodhojnë e prodhojnë pa fund natën e ditën fishekë, topa, makina lufte, avionë, trakte, libra politikë e fetarë, por edhe ugare të porsapërgatitura për mbjellje për të cilat nuk harrohej që të shkruhej mbi to: “Sa më shumë bukë për luftën!”. Në këtë sfond tragjik, dashuror, njerëzor, me ilegalitetin e saj, me misterin që fshihet në faqet e librave ku dallon sa e sa përkushtime për udhëheqës, duket se futesh në një botë shumë intriguese. Në përditshmërinë e luftëtarëve që mbajnë në duar lloj-lloj flamujsh të kombeve e shteteve të ndryshëm nëpër faqet librore (janë të paktën 100 libra të tillë të ekspozuara) ku ka një jetë tjetër pas perdes së saj. Një jetë me dashuri, me halle, me libra kryevepra që përkthehen qoftë edhe pa asnjë shpërblim, me durim sizifësh për t’ua dhënë bashkëkombësve shqiptarë. Në këto labirinte sheh edhe Shqipërinë sa të madhe aq edhe të vogël që bënte aq sa mundte jetën e saj letrare. Doemos kështu do të ndodhte, edhe pse nuk ishte i njohur ky Kod në një masë më të gjerë lexuesish përderisa edhe Shqipëria ishte dhe mbetej pjesa e Evropës. Ajo nuk mund të largohej nga kultura librore që bëhej në kufijtë e largët e të afërt të saj. Shohim kulmet e librave të Kutelit, të Sterjo Spasses, të Migjenit,. të Nolit. Shohim hapat e parë të shtypshkrimeve në shtypshkronjat shumë moderne për kohën shqiptare që do të mbanin në supet e tyre këtë dëshirë kaq të sinqertë të shkrimtarëve dhe lexuesve që donin fisnikërimin e tyre e të mbarë kombit. Që donin tribunë librore ku ata të mund të tregonin dhimbjen e tyre, të tregonin dashurinë e dëshirën për t’iu afruar sa më shumë Evropës. Si për ironi, në këto vitrina shohim librat e mbushura me aq politikë si broshurat që vinin nga Bashkimi Sovjetik, me të cilat farkëtoheshin ideologjikisht komunistët e rinj shqiptarë. Në të shohim studimet folklorike mbi mikpritjen, mbi pasurinë gojore të shqiptarëve. Kur e shikoja këtë ekspozitë, m’u kujtua një detaj që ndodhte ironikisht në fund të vitit 1944 në qytetin e Beratit. Bën fjalë për Vexhi Buharanë që ishte pa asnjë mëdyshje një nga njerëzit më të kulturuar të qytetit të Beratit. Që kishe punuar madje edhe për disa kohë në Bibliotekën Kombëtare. Pushtetarët e rinj që drejtonin jetën ekonomike e kulturore vinin nga radhët e partizanëve që kishin mësuar vetëm dy-tre shkronja në kondakun e pushkës e në dritën e zbehtë të një kandili Në një kohë që ai, Vexhi Mençuria kishte dalë shkëlqyer në Medresenë e Tiranës me një formim sa lindor aq edhe perëndimor duke fituar konkurse kombëtare letrare me poezinë “Përpara Tomorit” duke u rreshtuar në radhën e poliglotëve më të spikatur të Beratit e të mbarë kombit. Ata, partizanët, e kishin urdhëruar që ai me një shok tjetër të seleksiononin librat e konfiskuara në familjet e mëdha të qytetit e për t’i djegur ceremonialisht si shenjë e trofe të “antipopulizmit dhe të antikombëtarizmit të tyre”. I mençuri Vexhi tek i shikonte veprat e klasikëve anglezë, francezë, italianë që i kishte njohur si emra, i kishte lexuar edhe në origjinal fshehurazi, i vinte shumë keq. Vetëm ata që dinë të lexojnë libra, mund ta kuptonin gjendjen shpirtërore të mësuesit të Popullit Vexhi Bujaraja. Bëri atë që nuk duhej bërë për ta . I mënjanoi shumë botime të tyre dhe nuk mund t’i digjte. Kur erdhën ata, të shkolluarit e kondakut të pushkës, u zmbrapsën një çast e u zemëruan keqazi, sepse ai kishte lënë pa djegur libra e “francezëve, të anglezëve të gjermanëve” që duhet të ishin armiq të kombeve. O ironi!!!! Vetëm disa muaj më vonë kur ai do të burgosej nga shokët e tyre një nga akuzat e para ishte ai tolerim që ai i bëri veprave e të klasikëve duke mos i djegur ata. Dhe bashkë me dënimin atij iu dogj biblioteka me sa e sa burime të rralla, njëri prej të cilëve do ta nderonte kaq fisnikërisht edhe ekspozitën “Elegancë-Luftë 1944” në mjediset e Bibliotekës Kombëtare në këtë prag festash. . Saktësisht 65 vjet më vonë. Një ide interesante kjo Ekspozitë larg shablloneve ku jemi futur jo rrallë herë në një ekspozitomani shqiptare, në Tiranë e në rrethe. Ekspozita që mbushin protokollet zyrtare, financiare, por nuk tërheqin me mesazhet e tyre lexuesit e artdashësit. Me këto mesazhe librore që janë edhe një lloj Sozie e kohës sonë, na duhet që të falënderojmë edhe ideatorët që, për rastësi, për modesti, apo edhe për…ndonjë arsye tjetër mbeten anonimë.