Arian Ndoja, padi penale ndaj Prokurorisë së Përgjithshme
Ish-prokurori i Durrësit, Arian Ndoja, ka paditur Prokurorinë e Përgjithshme, pasi nuk pranon përcaktimin e dhënë nga organi i akuzës se është shkarkuar nga puna. Paditësi pretendon se ai ka dhënë dorëheqjen nga funksioni që kishte. Padia civile mban numrin 14811, ndërsa është hedhur në shortin elektronik në datën 25 të këtij muaji. Kjo padi ka si objekt të saj “ndryshim të aktit administrativ të urdhrit nr. 224, datë 29.10.2009”, duke ndryshuar urdhërimin me shprehjen “largimin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Durrës, Arian Ndoja, nga funksioni i drejtuesit për shkak se ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë në referencë të nenit 27/b, pika 2 a të ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në RSH”. Ish-kreu i Prokurorisë së Durrësit, Arian Ndoja, u largua nga detyra më 28 tetor të këtij viti. Ndërsa në një njoftim zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme thuhej se ata janë shkarkuar nga detyra, me urdhrin e Kryeprokurores Ina Rama. Kryeprokurorja Ina Rama shkarkoi nga detyra Ndojën dhe dy kolegë të tij në përfundim të një kontrolli të ushtruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Me urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm u ushtrua një kontroll tematik në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për kontrollin e veprimtarisë së Prokurorisë për një periudhë 2-vjeçare. Sipas tyre, në përfundim të kontrollit, janë konstatuar të meta të theksuara në funksionimin e kësaj Prokurorie, të cilat rezultojnë se kanë ardhur si rrjedhojë direkte e një menaxhimi të dobët nga stafi drejtues i saj. Ndaj tij ngriti një hetim Inspektorati i Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive, duke e akuzuar për fshehje të pasurisë, të cilën ai e kishte deklaruar zyrtarisht, të fituar gjatë aktivitetit të tij si avokat. Zoti Ndoja dha dorëheqjen deri në momentin e përfundimit të hetimeve, dhe më pas, doli i “pastër”, duke u rikthyer në detyrë. Ndërkohë që para sa Kryeprokurorja të shkarkonte dy zëvendësit e Ndojës, Drini Pali dhe Elena Bakellbashi, më 28 tetor të këtij viti, ai dha dorëheqjen duke deklaruar: “Jap dorëheqjen në mënyrë unanime për çështje formimi dhe dinjiteti profesional, për probleme parimore që bien ndesh me ndërtimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”.