Mesazhi i besimit që vjen nga vizita e kryebashkiakut të Shqipërisë në Uashtington
Kur Lulzim Basha, gjatë fushatës zgjedhore për kryetarin e bashkisë së Tiranës, ia la retorikën boshe kundërshtarit të tij, Edi Ramës, ai foli në biseda të njëpasnjëshme me qytetarët, sipas një programi konkret pune. Ishte një program që i tronditi thellësisht propagandistët e Ramës, që u kujtuan vonë t’i thoshin ustait të tyre se ai (dhe ata pas tij), po flisnin për gjëra të përgjithshme. Por premtimet kandidatit të ri ishin të tilla që quheshin të pamundura të realizoheshin, sipas përkrahësve të E. Ramës. Veç asaj, ia dinin huqet Edit që ishte kurdoherë pa program dhe gjithmonë humbës. Megjithatë, filluan premtimet edhe nga E. Rama, me kodra pas bregut, me dyfishimin e atyre që premtonte kandidati Basha, për Unazën e Madhe, për bulevardin tej për tej, për tramvajin, për gjelbërimin. Këto tingëllonin si një revansh i vakët, i jashtëkohshëm.
Pastaj filluan mosbesimet: Ku do t’i gjente fondet për të realizuar diçka të pamundshme? Përveç përbuzjeve të kryetarit të PS-së që e përmendte si Lulzim Saliu! Efekti qé negativ. Dukej si një përbuzje pa kripë. Përballë përbetimit se do të ishte 24 orësh në ditë pranë bashkisë, mbetej boshllëku i E. Ramës, që e shihte me dylbi bashkinë, aq sa përgojohej se ishte pranë bashkisë me korrespondencë...
Kuptohej që në fushatë se fitorja ishte e z. Lulzim Basha. Epiologu ishte i pritshëm, ndonëse Edi Rama, sipas një rituali të bërë bajat, ushtoi me euforinë e tij false: “UNË i fitova zgjedhjet”. Me +10 vota kutish! Ndërsa Basha tha thjeshtësisht, me modesti: - Le të presim vendimin e organeve kompetente. Ai kishte besim në fitoren e tij të meritueshme. Por dinte fare mirë, - sikur e kuptonin edhe ata që i kishin dhënë votën, - se nuk ishte në kompetencë të personit megaloman përballë tij që të shpallte vetë përfundimet zgjedhore. Aq më tepër kur kjo farë “fitoreje” mbështetej në një absurditet: Në “votën” e teneqesë, domethënë në atë të kutisë. Jo në votën e individëve, sipas nenit të Kushtetutës për barazinë e votës.
Edi Rama e lëshoi, më së fundi, atë karrige të pamerituar.
Pirgjet e dherave përreth ministrive, u rrafshuan brenda një kohe rekord (A thua se do ta fillonte punën, po të dilte Rama fituesi?). Qarkullimi makinave u bë funksional, ndonëse i mbetet zgjidhja përfundimtare me Unazën e Madhe, që tanimë qytetarët e Tiranë janë të bindur se do të bëhet realitet, në kohën e premtuar.
Filloi sërish avazi i Mukës: Me ç’pare do të bëhen të gjitha këto? Me paret e një pune 24-orëshe. Me besimin e fituar nga bizneset vendase dhe ato të huajat. Me personalitetin e L. Bashës, që kishte qenë i suksesshëm në të gjitha ministritë që kishte drejtuar. Me mirëkuptimin dhe me subvencionimin e atyre që e njihnin mirë përparimin ekonomik të vendit dhe nuk ishin të fjalës boshe, si Edi, por të fjalës së njëmendësuar.
***
Tani Lulzim Basha kthehet nga Uashingtoni. Me duart plot, jo me varjet e turinjve të atyre që sukseset e kryetarit të ri të Bashkisë i shohin me zilí. Nihilizmi kronik i servilëve të Ramës pësoi plasjet e para. Mbetën vetëm meskinitetet e gojëve të këqija: Iku në SHBA i paftuar! Edhe sikur të ishte kështu, ka rëndësi si vjen, jo si shkon! Të gjitha mediet e majta, të vëna në dorë nga ai dhe ato që ishin vetvetishëm të tijat, në kor , sikur të kishin gjetur levën e Arkimedit: a e ftuan? Gjithmonë më e parëndësishmja ngrihet në plan të parë, sipas tertipit të mohimit të gjithçkaje nga ana e opozitës sonë të Edvinit, që s’ka të dytë në botën e qytetëruar.
Megjithatë njerëzit që e kanë votuar atë dhe ata që kanë arsye të pamolepsur kanë bindjen se L. Basha është i ftuar, ndonëse kjo nuancë është e dorës së dytë.
Ka edhe thënie, të botuara edhe në shtyp, madje, sikur një miku i Lulit, me ndikim në Uashington, i paska thënë kryetarit të bashkisë së Uashingtonit se kryetari i bashkisë së Tiranës dëshiron ta takojë. Dhe kryebashkiaku amerikan ka pranuar. Këto u ngjajnë thashethemeve të të humburve ndaj fituesit.
Ligjërata e kryetarit tonë të bashkisë në Qendrën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins SAIS” ishte mbresëlënëse në Uashington. Ai u ftua të fliste në këtë qendër studimesh, që është e gjashta në renditje, ndër të gjitha universitetet e mbarë botës . U prit mirë kjo thënie e Bashës: “Në një atmosferë të ndezur debati politik vendosa ta nxjerr bashkinë e Tiranës nga konflikti politik dhe t’i përkushtohem ditën e plotë problemeve të qytetarëve të Tiranës. Problemet e qytetarëve dhe jo konflikti politik janë agjenda e Bashkisë së Tiranës”.
Basha tha se ishte prioritare për të, punësimi i banorëve të Tiranës. Kryetarit tonë të Bashkisë iu drejtuan pyetje të shumta që kishin të bënin me programin e tij për mbështetjen për gratë kryefamiljare dhe për personat në nevojë, për tërheqjen e investitorëve, për punësimin etj. Basha tha se buxheti i tanishëm ishte më i madhi ndër të gjitha vitet. Dhe kjo mundësohej duke ulur barrën fiskale, duke rritur bazën e tatimpaguesve, me reduktimin e informalitetit dhe se vetëm në muajin gusht u regjistruan 495 biznese të reja në Tiranë. Kryetari i Bashkisë sonë foli për asetet me vlera të larta që do të vihen në përdorim, sikundër edhe projektet strategjike të tilla si zgjerimi dhe zgjatja e bulevardit të madh, ndërtimi i dy linjave të tramit, ndërtimi i një terminali të ri, së bashku me stacionin e autobusëve urbanë, që do të jetësohen shumë shpejt. Do t’i jepet rëndësi e madhe transparencës dhe rritjes së kapitalit privat.
Basha e njohu me projektet e tij kryetarin e bashkisë së Uashingtonit, Vincent Greyn. Dhe i vuri në dukje atij se do t’u hiqte taksat për katër vjet biznesmenëve që do të punësojnë mbi 40 veta, ndërsa së shpejti do të hapet edhe zyra e punësimit e cila do të mbledhë on-line të dhënat për punëkërkues.
Nga ana e tij kryetari i Bashkisë së Uashingtonit mirëpriti kërkesën e kryebashkiakut Basha për të ndarë këtë eksperiencë me Bashkinë e Tiranës dhe për të ndihmuar në ngritjen e zyrës së punësimit përmes së cilës mundësohet lidhja ndërmjet biznesit dhe atyre që kërkojnë punë. Zoti Grey mbështeti projektet e kryebashkiakut tonë për Tiranën e Gjelbër. Ai i premtoi Bashës se do t’i jepte kryetarit tonë kodin e gjelbër të ndërtesave. Po ashtu ai do t’i japë planin e zhvillimit të Uashtingtonit si një kontribut për të hartuar planin urbanistik të Tiranës dhe shtimin e hapësirave të gjelbra.
Bashkia e Uashingtonit ka rikthyer shërbimin e tramit dhe tani po punohet në njërën prej linjave të saj. Kjo përvojë iu ofrua edhe kryebashkiakut Basha për ndërtimin e dy linjave të tramit që janë parashikuar në programin zgjedhor të tij.
Kjo energji dhe ky pasion i pandarë për të realizuar planin zgjedhor, ka bërë edhe shumë skeptikë të ndershëm të anës së majtë të spektrit, që të besojnë në seriozitetin e L. Bashës se ato që parashikoi për zbatim kandidati i ri për Bashkinë e Kryeqytetit nuk janë ëndrra të parealizueshme, - siç u tha në propagandën shabllone të kohës, - por një vizion entuziast dhe realist i një të dashuruari për shndërrimin kryekëput të imazhit të Tiranës, gjë e cila do të vihet re hap pas hapi në rrjedhë të kohës. Dhe do të jetë një garanci e sigurt për fitoren në mandatin e ardhshëm.