“Platforma marksiste e Ramës, e bazuar mbi inate personale, për të shkatërruar mijëra vende pune”
Mbledhja e Qeverisë, flet Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri kundërshton dhe njëherë programin ekonomik të lidershipit socialist, duke e quajtur atë si projekt të motivuar nga ndjenja dhe inate personale, që në thelb synon shkatërrimin e qindra e mijëra vende pune. Për Berishën 2013-a po afron dhe qytetarët shqiptarë do të kenë shansin e madh të votojnë për këtë program, i cili përsëri parashikon rritje të rrogave dhe pensioneve të tyre; për këtë program që parashikon optimalizim të plotë të treguesve makroekonomikë; për këtë program që parashikon, jo rritje të taksave, por lehtësira të tjera progresive. Kryeministri trajtoi në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave edhe programin e qeverisë “Brain Gain”
Dy ishin çështjet më të rëndësishme që trajtoi dje kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë, programi për “kthimin e trurit” (Brain Gain) dhe platforma ekonomike e qeverisë. Berisha sulmoi sërish programin e Partisë Socialiste për vendosjen e taksës progresive, duke e cilësuar si marrëzinë e radhës të kryetarit të opozitës dhe si taksë marksiste. Për Berishën, kreu i opozitës, Edi Rama sulmon programin ekonomik të qeverisë pasi është i motivuar nga ndjenja personale, inate personale dhe atavizma të klithmës të të parëve.
“Unë dua t’i informoj shqiptarët për një të dhënë. Ky sulmi që bë Shoku Rama (se kur del me platformë marksiste nuk mund ti thuash Zoti Rama se ofendohet) me taksën marksiste tek Fidelët e tij është i tëri i motivuar nga ndjenja personale, inate personale dhe atavizma të klithmës së të parëve sepse statistikat faktojnë se 40 % e vendeve të punës janë të krijuara nga 1 % e bizneseve dhe hajde tani tu biem me topin marksist këtyre që të shkatërrohen me mijëra vende pune. Kjo, kurrë nuk do të ndodhë. Ky njeri ka lindur për të dënuar veten e tij, sepse kalon nga marrëzia në marrëzi, ai kalon nga thënia se ka “1 milion të papunë në Shqipëri”, në një kohë kur 1 milion gjithsej janë krahë pune, tek taksa marksiste”- u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas kryeministrit, programi ekonomik fiskal i Shqipërisë për mandatin që vjen, 2012-2014, parashikon rritjen e të ardhurave dhe uljen e papunësisë.
Duke kujtuar afrimin e vitit 2013, Berisha ka bërë me dije se qytetarët do kenë shansin e madh të votojnë për këtë program, që parashikon rritje të rrogave dhe pensioneve, optimalizim të plotë të treguesve makro ekonomikë, jo rritje të taksave, por lehtësira progresive.
“Është në rendin e ditës vendimi për miratimin e programit ekonomik e fiskal të Shqipërisë për mandatin që vjen, dy vitet e para të tij, 2012-2014. Natyrisht, kjo po, në rast se duan shqiptarët. 2013 po afron dhe qytetarët shqiptarë do të kenë shansin e madh të votojnë për këtë program, i cili përsëri parashikon rritje të rrogave dhe pensioneve të tyre; për këtë program që parashikon optimalizim të plotë të treguesve makroekonomikë; për këtë program që parashikon, jo rritje të taksave, por lehtësira të tjera progresive. Ne, në këtë program të dy viteve të para të mandatit që vjen jo vetëm që nuk parashikojmë rritje të taksave, por parashikojmë rritje të rrogave, jo vetëm që nuk parashikojmë rritje të taksave, por parashikojmë rritje të pensioneve, jo vetëm që nuk parashikojmë rritje të taksave, por parashikojmë rritje të ndihmës ekonomike. Dy gjëra do të shoqërojnë këtë program, rritja e të ardhurave dhe ulja e papunësisë, ndaj dhe le ti lëmë zotit Rama modelin marksist të taksimit dhe të vazhdojmë me modelin e lirisë, modelin liberal, i cili bëri Shqipërinë, një model ekonomik të qëndrueshëm”, tha Berisha.
Dimension i ri për programin “Barin Gain”
Kryeministri Berisha kërkoi dje që t’i jepet një dimension i ri programit për thithjen e trurit ose i njohur ndryshe si programi “Brain Gain”.
Sipas tij, është e domosdoshme që ky program krahas shërbimit civil dhe universiteteve të shtrihet edhe në nivelin e këshilltarëve të ministrave, drejtuesve të institucioneve kushtetuese dhe në raste të caktuara edhe të agjencive kryesore të ngritura me ligj. “Programi ka ardhur duke u konkretizuar dhe në këtë program kanë përfituar rreth 140 studiues të shkolluar në shkollat më të mira dhe me rezultate të mira. Kjo përbën një arritje dhe tregon se programi funksionoi por është e domosdoshme që ky program të njohë një dimension të ri”.
Sipas kryeministrit është shumë e domosdoshme që të gjitha universitet e vendit duhet të ndërmarrin një përpjekje të re të madhe për thithjen e trurit pasi sipas tij shqiptarët të cilët pavarësisht se ku kanë lindur duan që nëpërmjet këtij programi të kontribuojnë në Shqipëri.
“Kjo duhet të ndodhë edhe për administratën pasi është e domosdoshme të zgjerojmë pozicionin që mund ti ofrohen këtij kontingjenti. Një përpjekje e madhe është bërë dhe sot në administratë ku mbi 21 për qind e është e diplomuar në universitetet e huaja, nga 1 për qind që ishte 5-6 vjet më parë por prapë se prapë mundësitë janë të mëdha”, tha ai.