E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i “Albpetrol”-it, qeveria e vendosur që menaxhimin e ekonomisë t’ia besojë sektorit privat

02-02-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha u ndal gjithashtu dje në projektligjet, të cilat propozojnë disa ndryshime në ligjin “Për hidrokarburet”, të cilat kanë lidhje me privatizimin e ALBPETROLIT. Duke folur për privatizimet në tërësi, Kryeministri u shpreh se, kjo qeveri është e vendosur që menaxhimin e ekonomisë shqiptare t’ia besojë tërësisht sektorit privat. “Kjo qeveri është e vendosur që menaxhimin e ekonomisë shqiptare t’ia besojë tërësisht sektorit privat. Ne kemi qene dhe mbetemi të vendosur në këtë linjë, sepse e vërteta është që ky sektor ka eficence disa here me te madhe ne menaxhim, se sa sektori publik, ndaj dhe nuk mund te këtë asnjë lloj hezitimi për privatizimin, shtrirjet e tij gjithnjë e më të thellë. Ky proces ka qenë shpëtimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky proces ndaloi pothuajse tërësisht gjatë socializmit të dytë të shqiptarëve, sepse përveç Bankës së Kursimeve, nuk u privatizua gjë tjetër. Dhe kjo sepse ata gjithçka e shohin për veten e tyre, sepse u duket vetja zot në politikë, zot në ekonomi dhe kudo, prandaj e ndaluan procesin e privatizimeve, dhe Bankën e privatizuan sepse iu dha ultimatum FMN-ja. Unë ju garantoj ju se ky proces nuk do të ketë të ndalur. Sot për sot, Shqipëria është vendi më privat, por përsëri ka potenciale për ta thelluar këtë proces. Ndaj dhe ne i besojmë këtij modeli ekonomik dhe ne do të vazhdojmë. Këto dy ligje janë të domosdoshme për procesin e privatizimit të ALBPETROLIT me të cilin po merret një nga kompanitë më serioze të planetit, e cila është Patton & Boggs, kompani me një reputacion botëror në fushën e konsulencës ekonomike dhe të konsulencave të tjera, kurse me HEC po merret korporata financiare ndërkombëtare  apo dega tregtare e BB. Pra, ne privatizimet i bëjmë që të gjitha me eksperiencën më të lartë që ekziston. Ne jemi me fat të madh sepse për shkak të dinamizmit të ekonomisë, të gjallërisë së saj, nga 3700 ndërmarrje, sipërmarrje private, mbi  50 %  e tyre janë krijuar vetëm gjatë vitit 2005-2009, sipas regjistrimit të sipërmarrjeve private të bërë në vitin 2012. Imagjinoni ju një vend, në të cilin hapen biznese në 4 vjet më shumë se në 15 vjet të marra së bashku. Në vitin 2005 kemi gjetur gjithsej 430 ndërmarrje të huaja, sot janë mbi 3000 sipërmarrje të huaja në këtë vend. Iniciativa e lirë është themeli i kësaj ekonomie. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka të privatizojmë gjithnjë e më shumë. Këto ditë kemi folur për privatizimin e pyjeve. Një mik më shkruante një letër dhe me thoshte se si do të veprohej me pyjet ne lartësi. Më mirë le të kenë një zot dhe këto pyje, sepse për zot ato kanë vetëm shpendët, gjënë  e egër, pra në tërësi janë jetimë. Unë fola për pyjet, por ka dhe shumë iniciativa të tjera për privatizime. Në këtë kontekst, përgëzoj Ministrinë e Kulturës për iniciativën, për të dhënë në përdorim dhe me koncesion monumentet e kulturës. Unë e dëgjoj me shumë vërejtje kritikën dhe në mënyrë absolute nuk hedh poshtë asnjë mendim pavarësisht nga kush vjen. Por kam një pyetje: Cila është kështjella më e ruajtur, ajo që është e banuar apo ajo që është e pabanuar? Pse shumica  e kështjellave në Shqipëri janë të banuara dhe disa të tjera që janë të shkreta nuk u dashka që për to të ketë disa rikonstruksione të lehta për t’u përdorur dhe për të kënaqur vizitorin. Cili është ai që nuk shkon në kalanë  e Beratit për të shijuar një drekë të mrekullueshme? Kalatë nuk kanë qene varreza, kanë qenë mburoja të qendrës së banimit. Në qoftë se ato sot përshtaten sipas kritereve dhe kushteve, pse të rrënohen?! Përkundrazi le të shfrytëzohen shumë më mirë dhe të krijohen disa të ardhurave. Askush nuk duhet të ketë frikë nga liria e përdorur sipas ligjeve dhe kritereve të caktuara. Pra me këto ligje ne shënojmë një hap të rëndësishëm në platformën tonë të dorëzimit të menaxhimit të vendit qytetarëve shqiptarë dhe individëve”-,vijoi më tej kryeministri. Duke theksuar se iniciativa e lirë është themeli i kësaj ekonomie, kryeministri tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të privatizuar  gjithnjë e më shumë. Kryeministri bëri të ditur se iniciativa të rëndësishme për privatizim ka edhe në fusha të tjera, duke përmendur këtu iniciativën e Ministrisë së Kulturës për të dhënë në përdorim dhe me koncesion monumentet e kulturës apo dhe në fusha të tjera.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›