E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhi i mikut

Ditëlindja e Mbretëreshës Elizabeth II ka mbledhur të enjten mbrëma udhëheqësit e institucioneve kosovare dhe përfaqësuesit më të lartë diplomatikë të akredituar në Prishtinë.

Përveç urimeve për Sovranen e Mbretërisë së Bashkuar, aty janë dhënë edhe mesazhe të rëndësishme politike.

Ambasadori britanik, Andy Sparkes, ka mbajtur një fjalim brilant para të pranishmëve, ku ka inkurajuar autoritetet kosovare në përpjekjet për çrrënjosjen e korrupsionit në vend.
“Ju të gjithë e dini dhe unë e di se Mbretëria e Bashkuar ka një raport të veçantë me Kosovën. Në dy vjet e gjysmë sa unë kam qenë Ambasador këtu - gati tërë kohën sa Kosova është e pavarur, unë e kam ndier këtë çdo ditë. Ne e kemi ndihmuar lindjen e shtetësisë suaj, e kemi mbrojtur atë gjatë foshnjërisë dhe kemi avokuar pavarësinë e saj”, tha në fillim të fjalës së tij, Ambasadori Sparkes.

Sipas tij, kosovarët, me ngrohtësinë e tyre, shpërblyen britanikët për kontributin e dhënë për shume vite. “Unë tanimë jam mësuar me këtë, mirëpo prapëseprapë ishte shumë mirë që delegacioni i lartë i biznesmenëve britanikë me kënaqësi e kanë vërejtur derën e hapur dhe mikpritjen e tipit ‘ejani dhe na u bashkoni’ që ata morën nga të gjithë ju. Përgjigja e tyre ishte e shkëlqyeshme! Ky është një vend i ri, me popullatë të re, të cilët sillen me qytetari, flasin gjuhën tonë dhe e dëshirojnë ndihmën tonë. Ne po vijmë! Dhe ata do të vijnë! Unë tanimë kam zotime për miliona euro investime britanike”.

Ambasadori Sparkes tha se në këto dy vjet e gjysmë të pavarësisë, Kosova ka pasur baticat dhe zbaticat e saj.

“Mirëpo është vërtetuar se këto stuhi kanë qenë shumë të vogla dhe të pamjaftueshme për ta penguar rrugëtimin e kësaj foshnje drejt njohjeve botërore, stabilitetit dhe prosperitetit. Kosova është në lëvizje. Ju jeni në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, 69 vende ju kanë njohur”.

Ai përshëndeti edhe pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e fundit. “Kosova, europiania e re, e cila ecën me vendosmëri duke kaluar pengesat drejt Bashkimit Europian, është gjithashtu fitore juaja”.

Një porosi të fortë ai dha për prijësit e institucioneve. “Natyrisht se ka sfida për secilin popull që pas një përpjekjeje të madhe e fiton shtetin. Kjo, sepse Qeveria duhet të jetë për të gjithë në shtet dhe jo për interesa të veçanta. Besnikëria tani duhet të jetë jo për familjen, apo klanin, por për vendin. Arsyeja pse unë e urrej korrupsionin, është sepse ai është i padrejtë. Kosova ende nuk është e pasur. Benefitet e lirisë duhet të jenë për çdonjërin”, tha Sparkes.

Mirëpo, sipas tij, “Kryeministri i ka thënë tërë vendit se ai gjithashtu e ndan këtë mendim”. Më pas, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar foli për raportin e tij me Kosovën.
“Unë tani jam shumë i lidhur me Kosovën. Një arsye për këtë jeni ju, njerëzit e Kosovës. Ju keni vuajtur shumë, mirëpo ia keni dalë. Ju mund të jeni vozitës të çmendur, apo mund të jeni duhanxhi të mëdhenj, por ju jeni mbijetues. Arsyeja tjetër është peizazhi i Kosovës. Unë kaloj shumë vikende duke ecur në male dhe fusha. Ato janë vërtet të veçanta. Së bashku, dhe me investime të miqve tuaj, ejani ta zhvillojmë turizmin, ta pastrojmë mjedisin dhe t’i largojmë mbeturinat nga lumenjtë tuaj. Siç më kanë thënë, edhe biznesmenët britanikë që erdhën këtu në Kosovë: Çfarë mundësie e mirë për ta ndërtuar këtë vend të ri!”, tha ai.

Sparkes, në fund, përmendi edhe rrëfimin e një ushtari britanik që ka shërbyer në Kosovë. “Një ushtar i ri britanik, sipas tij, i pari që kaloi kufirin nga Maqedonia në Kosovë në vitin 1999, më vonë u bë i famshëm. Ai solli me vete kitarën, e cila si duket i shërbeu shumë. Nuk e di nëse James Blunt e ka shkruar këngën e tij më të njohur me Kosovën në mendje. Ndoshta inspirimi i tij ka qenë më personal. Mirëpo, unë jam i sigurt se ai do të pajtohej nëse unë përdor fjalët e njëjta për Kosovën: ‘Ti je e bukur’”, tha ai, duke entuziazmuar të pranishmit.

“Dhe një dolli për Republikën e Kosovës në vitin 2010, 2100 dhe gjithmonë...”, shtoi ai. Të pranishmëve, në këtë ndejë, iu ka drejtuar edhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës. Në fjalën e tij, Jakup Krasniqi çmoi lart kontributin e Mbretërisë së Bashkuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›