Mesfusha, objektivi i Realit në merkato

Reali i Madridit kërkon të përfshijë emrin e një mesfushori në listën e merkatos. Ai duhet të marrë një futbollist i cili mund të marrë përsipër mesfushën madrilene për të ardhmen, për të zëvendësuar Kroos dhe Modric. Është një strategji që funksionon prej dy vitesh, nga ardhja e futbollistëve si Tchouameni apo Camavinga. Por gjurmët që kanë lënë kroati dhe gjermani në Madrid janë aq të thella saqë makineria e transferimeve për atë pozicion në fushë, do të duhet të bëjë një punë të madhe për t’i zëvendësuar.
Deri tani janë dy emra që përfliten në klubin madrilen. Jude Bellingham, 19 vjeçari i Borussias dhe Enzo Fernández, 21 vjeçari i Benfikës, të dy futbollistë që shkëlqyen në botërorin e katarit. Argjentinasi luajti shumë mirë në Kupën e Botës dhe Reali shikon te ai një mesfushor me shumë cilësi. Ai do të jetë një alternativë, në rast se nuk vjen Bellingham. Pasi synimi i Realit të Madridit për 19-vjeçarin anglez mbetet i patundur pasi ekziston edhe vullneti i mesfushorit për të shkuar në Madrid. Sipas AS, anglezi preferon Madridin pasi nuk është në planet e tij të rikthehet tani në Angli.
Me lojtarin të bindur, pengesa e madhe është Borussia Dortmund. Skuadra gjermane provoi të rinovojë me mesfushorin para Kupës së Botës. Ishte një manovër e pasuksesshme në të cilën klubi synonte t’i vendoste Bellinghamit një klauzolë prej 150 milionë. Por edhe mundësia për Enzo Fernández nuk është thjeshtë. Mesfushori argjentinas mbërriti te Benfica këtë sezon dhe nënshkroi kontratë deri në vitin 2027 në këmbim të 18 milionëve për 75% të të drejtave të tij.
Kjo shifër transferimi mbetet e vogël në krahasim me shumat që tani po konsiderohen në rast se ai do të largohet nga klubi i Lisbonës. Në fakt, Benfica nuk është e gatshme të negociojë largimin e yllit të saj këtë dimër, siç e tregon edhe fakti se së fundmi refuzoi një ofertë 100 milionëshe për të. Nëse ndonjë ekip dëshiron ta marrë atë muajin e ardhshëm, do të duhet të paguajë 120 milion euro të klauzolës së tij.