E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi: Po të luaj 1 milion vjet nuk krahasohem dot me Maradonën

E gjithë Argjentina, në alarm: “Leo është shumë i lodhur”

Botërori që fillon sot do të jetë i varfër nga yjet. Pak për zgjedhjet e trajnerëve, pak nga dëmtimet. Prandaj, ata pak që kanë ngelur, është mirë t’i mbrojmë. është në këtë sintezë mesazhi i dhënë nga përgatitësi atletik i Argjentinës, Fernando Sinjorini, njeriu, që pak orë para fillimit të Botërorit afrikan, ka lëshuar alarmin. “Stërvitja individuale, deklaroi Sinjorini, të lejon të analizosh në thellësi situatën e një lojtari. Dhe puna me Mesin më ka mundësuar të kuptoj faktin, se ai është thuajse një mrekulli e gjenetikës: shpejtësia është diçka e pabesueshme. është një nga më të mirët e historisë dhe sigurisht në Botëror do të jetë edhe më mirë, sepse ka më shumë përvojë. Por puna që tani mund të bëj me të është reduktuar, duhet t’i bëjmë lojtarët të freskët për Botërorin”. Por jo gjithçka është perfekte. Sinjorini nënvizon: “Mesi erdhi i lodhur. Dëmi është bërë dhe është i pariparueshëm. është e çuditshme, shqetësohen për kontrollin antidoping, por jo për formën fizike të një lojtari, i cili vjen këtu, pasi ka zhvilluar 70 ndeshje në një vit dhe duhet të udhëtojë nga njëra anë e botës në tjetrën”. Mesi është njeriu më i admiruar dhe më i shumëpritur i turneut. I pyetur se a i pëlqen kur krahasohet me Maradonën, talenti argjentinas shprehet se “edhe sikur të luaja 1 milion vjet, atij nuk mund t’i afrohem. Për mua ai është lojtari më i madh i të gjitha kohërave, me të nuk mund të krahasohem”.

Megjithatë, ky krahasim bëhet shpesh, sepse keni pasur një sezon të jashtëzakonshëm...

Sezoni i kaluar ishte më i mirë. Me Barcelonën i kemi fituar të gjitha, çka është mundur të fitohet. Unë nuk kam dëshirë ta ndaj suksesin personal dhe titujt me klubin. Kam shënuar shumë gola, e kam fituar “Topin dhe Këpucën e Artë”.

Kthehemi edhe një herë te Maradona, i cili si kapiten i ekipit ia solli Argjentinës titullin e fundit. çfarë nënkupton ai për ju?

Për mua ka qenë gjithmonë një shembull. E kupton futbollin dhe është vërtet i mençur. Në jetë i ka bërë disa gjëra, për të cilat sigurisht që nuk është krenar dhe na e tërheq vërejtjen që të mos i përsërisim gabimet e tij. Por, për mua mbetet njeri shembullor. Diego lufton për atë që beson. Ne të gjithë në ekip e marrim ashtu siç është dhe e respektojmë. është trajner shumë i mirë. Arrin t’i motivojë lojtarët, prandaj të gjithë do të luftojmë për të dhe për Argjentinën.

Por a ju pëlqen kur ju krahasojnë me të?

çdo futbollist i Argjentinës e di se në ndonjë pikë të karrierës mund të krahasohet me Maradonën. Në Brazil këtë e bëjnë me Pelen, në Francë me Zidanin. Njerëzit, thjesht, me dëshirë i krahasojnë heronjtë e së kaluarës me ata të tanishmit. Megjithatë, do të doja që njerëzit të më mbajnë mend si Leo Mesin e jo si dikush tjetër.

A shpresoni se do të shkëlqeni në fanellën e Argjentinës?

Shpresoj se do t’i ndihmoj skuadrës. Ky do të jetë kampionati im i dytë. Para atij të parit, dy muaj jam munduar me një lëndim, kështu që gjatë kampionatit kam kaluar shumë kohë në pankinë. Kësaj radhe shpresoj se më tepër, do të jem pjesë e ekipit. Do të bëj çmos që ta fitojmë titullin. Këtë mund t’ua premtoj të gjithëve në Argjentinë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›