E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biazi shpall listën me 28 vetë, vjen Agon Mehmeti, jashtë Bogdani

Tekniku italian i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka shpallur listën për dy sfidat e radhës eliminatore, kundër Sllovenisë dhe Islandës, të dyja ndeshje jashtë fushe. Bëhet fjalë për dy transferta të rëndësishme dhe ndoshta pas këtyre dy sfidave do të kuptojmë sa afër dhe larg jemi nga Brazil 2014. De Biazi ka zgjedhur të ketë të grumbulluar plot 28 futbollistë, e ndikuar kjo nga fakti që do të luhen dy takime brenda katër ditësh dhe numri i madh futbollistëve do të shmangte problemet e shkaktuara nga ndonjë dëmtim apo ndëshkim i mundshëm. Pikërisht për arsye dëmtimi në këtë listë nuk do të jenë mbrojtësi Mavraj dhe mesfushori Meha. Por jashtë është lënë edhe Bogdani, i cili ende nuk ka firmosur për skuadrën e re. Risia e vetme e listës është sulmuesi i Olhanenses, Agon Mehmeti, i cili vetë para pak ditësh konfirmoi në rrjetet sociale ftesën e marrë nga De Biazi. Mesfushori i Grasshopers, Shkëlzen Gashi dhe Vullnet Basha rikonfirmohen pas miqësores me Armeninë. Kampionët e Skënderbeut do të kenë tre futbollistë, ndërsa Tefik Osmani është futbollisti tjetër i grumbulluar nga Superliga shqiptare. (e.i/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›