Mesi fiton cmimin e pare
Është koha që të shpërblehen më të mirët dhe çmimi i parë për vitin 2012 sapo është dhënë. Lionel Mesi është shpallur futbollisti më i mirë në botë për këta 12 muaj nga ana e revistës prestigjoze britanike, “World Soccer”, madje duke fituar me diferencë të madhe me ndjekësit.
Ylli i Barcelonës mori 47.33 për qind të votave të lexuesve të revistës mujore, ndërsa Kristiano Ronaldo dhe Andres Iniesta ishin tepër të shkëputur nga ai, duke ndarë vendin e dytë dhe të tretë.
Kjo është hera e tretë që Mesi fiton çmimin e revistës britanike, duke u barazuar kështu me sulmuesin brazilian Ronaldo.
Ndërkaq, numri 7 i Realit të Madridit fitoi 19.01 për qind të votave, ndërsa mesfushori i Barcelonës arriti në kuotën 9.77.
“World Soccer” ka zgjedhur Visente Del Bosken e Spanjës si trajnerin e vitit, edhe ky i shpallur fitues pas votave të lexuesve të kësaj medieje. Ndër skuadrat, vendi i parë i takoi pikërish Spanjës, kampione e Europës.
Së fundi, revista shpalli edhe formacionin e vitit ku 4 lojtarë ishin të Barçës e pikërisht Mesi, Iniesta, Ksavi dhe Alba, 3 të Realit: Ronaldo, Kasijas e Ramos, një i Bajernit, Filip Lahm, një i Atletikos së Madridit, Falkao, një i Mançester Sitit, Vinsent Kompani dhe një i Juventusit, Andrea Pirlo.