Mesi, futbollisti më i paguar në listën e kryesuar nga Uds
Ylli i Barcelonës, Lionel Mesi është konfirmuar si futbollisti më i paguar në botë, pasi fitoi 30.5 milionë euro vitin e kaluar, sipas listës ‘50 fatlumët’ nga magazina amerikane “Sports Illustrated”. Sulmuesi argjentinas, i cili konsiderohet si aktualisht futbollisti më i mirë në botë gjendet para yllit të Real Madridit, Kristiano Ronaldo, i cili përfitoi 27.1 milionë euro dhe sulmuesit të Mançester Junajtidit, Uejni Runi 23 milionë. Lista me ‘50 fatlumët’ llogarit përfitimet, marrëveshjet e marketingut dhe bonuset e yjeve më të mëdhenj të sportit. Në renditjen e përgjithshme kryeson golfisti Tajgër Uds me fitime prej 46 milionë eurosh në vitin e kaluar, që edhe pse i mjaftoi për të kryesuar, është 20 milionë euro më pak se përfitimet e tij nga dy vite më parë. Mesi kryeson në kategorinë e futbollistëve, por ylli nga “Nou Camp” është i shtati në renditjen e përgjithshme të sportistëve më të paguar në botë dhe ndër të tjerë gjendet prapa ngasësit të Ferrarit nga Formula 1, Fernando Alonso, i cili është tifoz i Real Madridit.