Shorti i Kupave të Europës, ja se ç’rrezikojnë shqiptaret
Skënderbeu, Tirana, Flamurtari dhe Vllaznia do të njohin sot kundërshtarët e tyre. Vlonjatët dhe shkodranët do të luajnë në turin e parë të Europa League, bardheblutë në të dytin, ndërsa kampionët në turin e dytë të Champions
Në selinë e UEFA-s, në Nion të Zvicrës, do të hidhet sot shorti për katër skuadrat shqiptare që do të marrin pjesë në dy kompeticionet europiane, Skënderbeu në Champions League, si dhe Tirana, Flamurtari dhe Vllaznia në Europa League, do të njohin kundërshtarët e tyre.
CHAMPIONS LEAGUE
Skënderbeu, kampioni i sezonit 2010-2011, do të përfaqësojë Shqipërinë në turin e dytë eliminator të Champions League. Për skuadrën korçare kjo do të jetë hera e parë që do të luajë në kompeticionin më prestigjioz të klubeve, dhe hera e parë që luan në Europë. Skënderbeu ka koeficientin më të ulët nga 32 ekipet që marrin pjesën në turin e dytë eliminator: 0,774, ndërkohë që Shkëndia e Tetovës (një skuadër shqiptare në Maqedoni), renditet më lart: 1.041. Në raundin e dytë kualifikues marrin pjesë 34 ekipe, 2 vijnë si fitues të dy çifteve të turit të parë, të ndara në dy grupe, që përmbajnë 17 ekipe me koeficient më të lartë (seeded) dhe 17 me koeficient me të dobët (unseeded). Ndeshjet do të zhvillohen me 12/13 dhe 19/20 korrik. Kundërshtarët e mundshëm të Skënderbeut: BATE Borisov (Bjellorusi), Makabi Haifa (Izrael), Dinamo Zagreb (Kroaci), Rozenborg (Norvegji), Partizan (Serbi), APOEL (Qipro), Visla Krakov (Poloni), Sturm Graz (Austri), Liteks Lovek (Bullgari), Slovan Bratislava (Sllovaki), Viktoria Plzen (Çeki), Maribor (Slloveni), Helsinki (Finlandë), Ekranas (Lituani), Zestafoni (Gjeorgji), Malmo (Suedi) dhe Shamrok Rovers (Irlandë). Një total prej 76 skuadrash nga i gjithë kontinenti do të marrin pjesë në edicionin 2011-2012, ku 22 prej tyre do ta nisin nga faza e grupeve. Finalja e madhe do të zhvillohet më 19 maj 2012 në “Fussball Arena Munchen”.
EUROPA LEAGUE
Po sot do të hidhet shorti për turin e parë dhe turin e dytë të Europa League, në të cilin marrin pjesë 105 skuadra europiane, përfshirë dhe 3 shqiptare: Tirana, në turin e dytë kualifikues; Flamurtari dhe Vllaznia, nga turi parë eliminator. Në turin e parë kualifikues të Europa League marrin pjesë 50 skuadra europiane, midis tyre Vllaznia dhe Flamurtari, të cilat kanë koeficientin 1.274 dhe renditen në vendet 32-33 përsa i përket fortësisë së skuadrave, me Fulham në krye te listës me koeficientin 40.157. Ndeshjet do të zhvillohen, me 30 qershor dhe 7 korrik. Kundërshtarët e mundshëm të Flamurtarit dhe Vllaznisë: Fulham (Angli), Elfsborg (Suedi), Tromso (Norvegji), Saint Patrik (Irlandë), Karabag (Azerbajxhan), Jagiellonia (Poloni), Rabotniçki (Maqedoni), Alaseunds (Norvegji), Spartak Trnava (Sllovaki), Honka Espo (Finlandë), Varazhdin (Kroaci), Minks (Bjellorusi), Olimpi Rustavi (Gjeorgji), Rad (Serbi), Haken (Suedi), Siroki Brijeg (Bosnje), Buduçnost (Mali i Zi), Rejkavik (Islandë), Nju Saints (Uells), Renova (Maqedoni), Koper (Slloveni), Birkirkara (Maltë), Ferencvarosh (Hungari) dhe Paksi (Hungari). Sipas një skeme paraprake përpara shortit, me 50 ekipet do të formohen pesë grupe me nga 10 skuadra, 5 të forta dhe 5 të dobëta, e më pas nis procedura. Klubet nga e njëjta federatë nuk mund të ndeshen me njëra-tjetrën, pra nuk mund të kemi një ndeshje Flamurtari-Vllaznia. Vllaznia ka bërë 6 paraqitje në Europa League, ndërsa Flamurtari ka 3 paraqitje në këtë kompeticion. Tirana, si fituese e Kupës së Shqipërisë, do të marrë pjesë direkt në turin e dytë kualifikues të Europa League. Në ketë tur marrin pjesë 80 skuadra, 55 skuadra direkt si dhe 25 fituesit e dalë nga 25 çiftet e ndeshjeve të turit të parë. 80 skuadrat do të ndahen paraprakisht në 8 grupe nga 10 skuadra, me 5 të forta dhe 5 te dobëta secila. Tirana renditet si e 38-ta më e fortë dhe bën pjesë ne grupi e ashtuquajtur “seeded teams”. Tirana, skuadra shqiptare me më shumë ndeshje në Europë, ka marrë pjesë 7 herë në Europa League (14 herë në Champions League). Kundërshtarët e mundshem të Tiranes: Kuopio (Finlandë), Rudar (Mali i Zi), Keçskemeti (Hungari), Sant Julia (Andorrë), Strejmur (Ishujt Faroe), Ksazar Lankaran (Azerbajxhan), Gagra (Gjeorgji), Metalurg (Maqedoni), Diferdange (Luksemburg), Mika (Armeni), Llanelli (Uells), Krusejdërs (Irlandë e Veriut), Juvenes (San Marino), Floriana (Maltë) si dhe 25 fituesit e 25 çifteve të turit të parë kualifikues.