Mesiç: Serbia të mos e njoh Kosovën, por të bashkëpunojë

Serbia nuk është e detyruar të njohë Kosovën nëse nuk e dëshiron dicka të tillë, me rëndësi është të vendoset bashkëpunimi Serbi-Kosovë dhe më gjerë në rajon. Kështu është shprehur ish presidenti i Kroacise, Stipe Mesiç. Sipas tij Kosova është realitet dhe kjo smund të ndryshohet, ndaj duhet të bashkëpunojmë me Kosovën.
“Kur Ballkani do jetë pjesë e BE atëherë mund të themi që BE ka bërë një punë të madhe. Në rast se Serbia nuk dëshiron të pranojë Kosovën nuk ka nevojë ta pranojë, nuk do ndodhë asgjë, ajo cfarë duhet të sigurohet është bashkëpunimi rajonal. Kosova është realitet dhe është në rajon. Duhet të punojmë për hapjen e gjithë kufinjve në rajon, interesi jonë i përbashkët është integrimi në BE. Kjo marrëveshje dhe ky hap do të shuajë dhe luftrat në rajon, duke bërë të mundur të jetuarit në paqe” tha ai.
Këto deklarata Mesic i bëri gjatë një konferencë për shtyp me ministrin tonë të Jashtëm, Edmond Panariti, me të cilin pati një takim më herët.
Lidhur më këtë takim ish-Presidenti i Kroacisë shprehu interesimin për vazhdim të bashkëpunimit Shqipëri-Kroaci, si dhe u shpreh optimist se vendi jonë do të marrë statusin e vendit kandidat në BE.
Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm Panariti e vlerësoi si të frytshëm takimin dhe shprehu bindjen për forcim të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Diskutuam për zhvillimet në rajon, bashkëpunimin bilateral Shqipëri-Kroaci, krijimin e hapësirave për livëzje të lirë dhe krijimin e tregjeve rajonale. Diskutuam për situatën në rajon, atë në Serbi dhe Kosovë. Ndamë idenë se Kosova është realitet i pakthyeshëm dhe krijimi i një klime bashkëpunimi mes Kosovës dhe rajonit por dhe Kosovë dhe Serbisë do ti shërbejë integrimit në BE të gjithë rajonit të Ballkanit”u shpreh Panariti.